Tare, Lacio nuk do rinovim
Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, Igli Tare, po bëhet gati të kërkojë një skuadër të re në edicionin e ardhshëm. Sipas mediave italiane, trajneri Delio Rosi nuk dëshiron ta mbajë sulmuesin të cilit i ka përfunduar kontrata me ekipin kryeqytetas. Për më tepër, Lacio ka filluar që tani të kërkojë një tjetër sulmues, për t‘ia shtuar dyshes Roki-Pandev. Mendohet se Karaçolo është emri i përzgjedhur nga bardhekaltërit, pasi ai është një qendërsulmues i mirëfilltë dhe garanton 10 gola në sezon, gjë të cilën Tare nuk arriti ta bënte gjatë qëndrimit të tij te Lacio. Ndonëse mendohej se presidenti Lotito dëshironte të mbante futbollistin për përkushtimin që ai kishte shfaqur gjatë këtyre sezoneve, vendimtar ka qenë opinioni i trajnerit Rosi, i cili ka pasur shpesh përplasje me Taren mbi faktin e mosaktivizimit të rregullt. Për futbollistin shqiptar ka pasur interesim nga disa ekipe të Serisë B, por nuk përjashtohet hipoteza e kalimit në një kampionat tjetër, ku Greqia shihet si një pistë e mundshme.