E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, sot, mbledhja për të caktuar presidentin

Katër donatorët e Tiranës do të mblidhen sot në atë që është cilësuar si "Asambleja" e klubit, për të caktuar se si do të veprohet për sezonin e ardhshëm. Sipas asaj që është lënë të kuptohet gjatë ditëve të kaluara, në këtë mbledhje do të përcaktohet edhe presidenti i skuadrës, i cili do të jetë me sistem rotacioni mes katër donatorëve, duke i dhënë mundësinë secilit prej tyre të jetë "i parë" në një prej katër viteve të mandatit. Ndërkohë, kjo mbledhje e donatorëve pritet të përcaktojë edhe strategjitë e klubit për vitet në vijim, duke filluar nga kalimi i skuadrës në shoqëri aksionere, arsye për të cilën donatorët kanë pasur takime gjatë ditëve të fundit jo vetëm me drejtues të FSHF-së, por edhe me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Kjo mbledhje do të shërbejë edhe si hapi i parë për të ndërtuar skuadrën e re për edicionin e ardhshëm, i pari pas shumë vitesh ku Tirana nuk do të ketë mundësinë të marrë pjesë në Kupat e Evropës. Donatorët do të përcaktojnë jo vetëm emrin e trajnerit që do të ulet në stolin bardheblu, por do të ideojnë edhe merkaton e futbollistëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›