E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tare po e bën Lacion të madhe

SHKRUAN: Jeton Selimi 27-06-2011 11:53

Kur Klaudio Lotito i besoi detyrën e drejtorit sportiv të Lacios në vitin 2008, tifozët bardhekaltër u shprehën skeptikë për të ardhmen e klubit të tyre. Në fund të fundit cili ishte ky lojtar anonim që kishte luajtur vetëm 54 ndeshje për klubin e tyre dhe kishte shënuar vetëm 4 gola. Asokohe, presidenti Lotito i mbylli gojët e liga me një shprehje të thjeshtë se “Igli Tare ishte i vetmi person që njihte ai me 5 gjuhë të huaja në xhep”. Sot Tare po udhëheq një fushatë blerjesh fantastike, e nisur që dy sezone më parë, por që po e shndërron Lacion në një ekip pretendent. Për më tepër kur mendon se i madhi Franc Bekenbauer ia atribuon të gjitha meritat Tares për blerjen e Mirosllav Kloses. Por nuk është vetëm lojtari rekordmen me 61 golat e tij për Gjermaninë. Në listë është edhe Lorik Cana apo Xhibril Sise.

Ta nisim me Klosen. Kur nisi joshja?

I kemi qëndruar pas për shumë kohë, më saktë që nga mesi i janarit. Ishte vërtet afër nesh, por Bajerni pretendonte shifra të larta, kështu që ne u dorëzuam, të paktën deri në atë moment.

Më pas?

Kemi qëndruan gjithnjë në kontakt, deri në ditën kur mbërriti në Romë për herë të parë dhe u takua me presidentin Lotito dhe trajnerin Reja. Për mua, në atë takim u bind përfundimisht.

Kur Lacio bëri ofertën, si reagoi?

Entuziast si pakkush dhe nuk e them sepse jam drejtori sportiv i Lacios ose sepse ai është miku im. Nuk ishte e nevojshme ta stimulonim ose t’i shpjegonim sesi funksionin gjërat sepse dinte gjithçka.

Çfarë përfaqëson Klose për Lacion?

Në radhë të parë është një lojtar i madh dhe do të jetë në gjendje që të bëjë shumë gola për shumë vjet. Dëgjoj të thonë se nuk është më i ri, por janë të gjitha budallallëqe dhe ata që i thonë do ta kuptojnë shpejt. Është një tip paksa i mbyllur, por është një profesionist i përulur. Do të jetë një pikë e mirë referimi.

Tjetër?

Përveçse është një lojtar i madh, ka qenë padyshim një goditje e mirë edhe për imazhin, këtë nuk kemi përse ta mohojmë. Për ditë të tëra Lacio ka qenë kryefjala e të tërëve. Po flitet për kapitenin e Gjermanisë, për një yll në nivel ndërkombëtar.

Bekenbauer ka thënë se Klose e zgjodhi Lacion sepse aty ishit ju. Një vlerësim i bukur apo jo?

Më bëhyet qejfi. Është e vërtetë që unë dhe Miro njihemi prej vitesh, kur ai debutoi te Kaizerslautern ishte i ri, kemi luajtur disa herë bashkë në sulm. Më pas unë u largova, por kemi qëndruar gjithnjë në kontakt. Merita e mbërritjes së tij është e presidentit Lotito sepse Klose kishte oferta të tmerrshme nga klube të tjerë. Propozime që ne nuk mund t’i rivalizonim, por ai mbërriti këtu dhe do të na japë një shtysë të madhe.

Po Senad Luliç?

Është një lojtar i rëndësishëm që do të rritet e do të bëjë mirë. Imapkti me futbollin Italian nuk do të jetë i lehtë, por është një tip që nuk dorëzohet.

Si lindi interesi për boshnjakun?

E pashë për herë të parë vitin e shkuar në sfidën me Totenhemin në paraeliminatoret e Champions. Më habiti për thjeshtësinë me të cilën lëvizte dhe të teknikës që kishte. Bëri dhe një gol të bukur. Pastaj e ndoqa disa herë nga pranë.

Por kur ju bindi?

Në një ndeshje të Bosnjes, kur pashë se Senad luante si mbrojtës krahu, ndërsa te Jang Bojsat luante si anësor ofensiv. Aty e kuptova se vlente për ne dhe nisa ta ngushtoja rrethin derisa e solla në Romë.

Jeni i kënaqur me Lacion që po lind?

Kjo duhet thënë në fund, por e sigurt është se po punohet që Lacio të jetë më e fortë dhe kompetitive. Kemi një grup cilësor dhe do të punojmë disi për sasinë.

Çfarë efekti ju bën të shikoni se për Lorik Canën ka shumë entuziasëm?

Të flasësh për një si Loriku, miku im dhe bashkëkombas, më vendos disi në vështirësi. Është një lojtar i madh, por këtë nuk e kam zbuluar unë. Është një nga ata që mund ta bëjë më të fortë repartin me shokë si Ledezma, Matuzalem, Broki, Breshiano e Gonzales.

Në çfarë pike është tratativa me Gallatasarajin?

Po presim dhe mund të jenë ditë të rëndësishme. Të shohim sesi do të shkojnë gjërat.

Tifozët mund të jenë krenarë për këtë Lacio?

Sigurisht, pa harruar edhe kampionatin e mirë që bënë çunat vitin e shkuar. Do të nisemi nga ata për të arritur më lart. Jemi ambiciozë dhe Lotito dëshiron që të skuadra të jetë gjithnjë kompetitive dhe se mund të luftojë ndonjë ditë për objektivë prestigjiozë. Objektivi është pikërisht ky.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›