Fetel dhe Red Bull nuk ka rregull që t’i ndalë!
Kanibali Fetel nuk ka rivalë! Kaq mund të thuhet për garën e radhës së Formulës 1, e cila ashtu si shumë këtë kampionat botëror, ka patur të njëjtin përfundim. Sebastian Fetel dominon garën për Çmimin e Madh të Valencias duke u ngjitur për të gjashtën herë në podiumin e vendit të parë në 8 gara të zhvilluara. Piloti gjerman kryesoi garën nga fillimi duke mos e diskutuar asnjëherë fitoren, pavarësisht kufizimeve dhe rregullave të reja të FIA-s për të “ndalur” Red Bull. Vendi i dytë shkoi për Fernando Alonso me Ferrarin, ndërsa në vend të tretë u rendit piloti tjetër i Red Bull, Mark Veber. Pas kësaj gare, Fetel thellon diferencën në klasifikimin e përgjithshëm duke shkuar si asnjëherë tjetër në historinë e Formula 1, 186 pikë. Vendi i dytë ndahet nga Xhenzon Baton dhe Mark Veber me 109 pikë. Në këtë garë Sebastian Fetel vendosi një tjetër rekord, u ngjit për herë të nëntë radhazi në podium, (duke llogaritur edhe garën e fundit të sezonit të shkuar) nga të cilat shtatë herë i pari dhe dy herë i dyti. Formula 1 rikthehet pas dy javësh me Çmimin e Madh të Britanisë në pistën Silverston, ku priten të tjera rregulla “anti-Red Bull” dhe kopjuesve të tij. “Ka qenë e vështirë. Mbase nga jashtë jo të gjithë e kuptuan se çfarë ndodhi. Mbase u është dukur një ditë e mërzitshme, por ishte një garë me shumë presion”. Kështu mendon Sebastian Fetel, që tregon se në Valencia nuk ka qenë një shëtitje, por ka vuajtur shumë. “Edhe pse kisha një avantazh përpara pit-spoteve, më është dashur të shtyj gjithnjë për të ruajtur kryesimin. Çdo vit thuhet se kjo pistë nuk opërshtatet me karakteristikat tona, por kemi bërë një punë të shkëlqyer dhe kemi arritur një rezultat të madh”, thotë Fetel. Fetel përfundoi i pari, 10.891 sekonda para Fernando Alonsos me Ferrari dhe triumfoi për herë të dytë radhazi në pistën e Valencias. Kolegu i tij nga Red Bull, Mark Veber ishte i treti, ndërsa Ljuis Hamilton me McLaren, i katërti.