E Diel, 1 Nëntor 2026

Tarifa të larta celularësh, Pollo: Skandaloze, kemi kërkuar dhe shpresojmë në ulje çmimesh

12-01-2011 / Nga Mina Hysa

Telefonia dhe bankat, kostot e shërbimit do të ulen brenda vitit Këshilltarja e Kryeministrit për Ekonominë Suzana Guxholli: “Është hartuar një projektligj që rregullon raportet e qytetarëve me bankat duke detyruar këto të fundit të aplikojnë norma më të ulëta fitimi për shërbimet që ato ofrojnë”

Dy prej sektorëve më të rëndësishëm në ekonominë e vendit, ai i Telekomunikacionit dhe Sistemit bankar do të aplikojnë gjatë këtij viti tarifa më të ulëta për konsumatorët në lidhje me shërbimet që ata ofrojnë. Telefonia celulare, shërbimi i së cilës është më i kushtueshmi krahasuar me vendet e tjera të rajonit, pranverën e këtij viti do të shënojë ulje çmimi me afro 30 përqind. Kjo sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare do të bëhet për 3 arsye: hyrja në treg e operatorit të katërt celular, ofrimi i shërbimit të portabilitetit të numrit si dhe ulja e tarifës së interkonjeksionit drejt kostos. Drejtor i kabinetit pranë AKEP Gazmir Isakaj thotë: - “Në pranverën e këtij viti do të ketë një ulje të tarifave të telefonisë mobile me afro 30 %. AKEP ka vendosur të ulë tarifat e interkonjeksionit nga 10,5 lekë për minutë në 9,03 lekë”. Nisma e AKEP për uljen e tarifave të telefonisë celulare është mbështetur edhe nga Ministri i Inovacionit
Genc Pollo. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, ku i quan tarifat celulare të papranueshme, ai ka kërkuar nga operatorët celularë që të jenë bashkëpunues në mënyrë
që ulja e pritshme e tarifave të terminimit, të shoqërohet me uljen domethënëse të çmimeve të përdoruesit. Një tjetër sektor që pritet të ketë ulje çmimi në shërbimet që
ofrohen do të jetë sistemi bankar. Qeveria ka hartuar një projektligj që detyron bankat të ofrojnë shërbime me kosto sa më të ulët për qytetarët. Suzana Guxholli, këshilltare e Kryeministrit për ekonominë shpjegon se: “Është hartuar një projektligj që rregullon raportet e qytetarëve me bankat duke detyruar këto të fundit të aplikojnë norma më të ulëta fitimi për shërbimet që ato ofrojnw. Nisma për reduktimin e kostos së qytetarëve në sektorin e Telekomunikacionit dhe Sistemit bankar u morr nga kryeministri. Gjatë një konference për shtyp ditën e hënë ai kërkoi që të vendosej një marrëdhënie më e drejtë midis biznesit dhe konsumatorit. “Çmimet e përdoruesit të telefonit cellular nuk janë një faqe e lavdishme në historinë e kompanive mobile në Shqipëri. Në këto 10 vite shqiptarët kanë paguar për celularët e tyre çmime, te cilat të krahasuara me koston, kudo në botë do të ishin quajtur skandaloze. Megjithë uljet e çmimeve në 2-3 vitet e fundit, përsëri celularët tek ne kushtojnë më shumë se në Ballkan dhe në Evropë” deklaroi dje z. Genc Pollo Ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit. “Një analizë e tregut e ndërmarrë nga rregullatori (AKEP) indikon se normat e fitimit të operatorëve mobilë me fuqi të ndjeshme në treg janë jonormale dhe joetike, sidomos kur mbështetet në superçmime për qytetarët e një vendi ku ka ende varfëri”- shtoi ai. AKEP, bazuar në këtë studim tregu, ka hapur një konsultim publik për një reduktim të tarifave të terminimit të operatorëve mobilë. “Shpresoj që operatorët të jenë bashkëpunues dhe që një ulje e pritshme e tarifave të terminimit të shoqërohet me uljen domethënëse të çmimeve të përdoruesit”-
theksoi ministri Pollo.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›