E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tash me katër

Me fillimin e kampionatit të ri, nis një epokë e re për gjyqtarët kosovarë. Më në fund, ata do ta kenë më lehtë që ta ndajnë drejtësinë në Superligë. Kjo pasi tash e tutje në ndeshjet e elitës nuk do të jenë prezentë vetëm nga tre gjyqtarë, por si në gjithë Evropën – nga katër. Shefi i gjyqtarëve, Ruzhdi Breznica thotë se në këtë mënyrë, bashkë me kolegët e tij, po ia përmbushin Kosovës një kriter të vënë nga FIFA e UEFA.

Nga ky edicion, referimi në futbollin kosovar pritet të shënojë progres. Gjykimi i ndeshjeve të Superligës pritet të jetë më cilësor, ngase më në fund edhe në vendin tonë ndarjen e drejtësisë do ta bëjnë tre gjyqtarë, por që do të asistohen edhe nga gjyqtari i katërt, i cili deri më tani nuk shihej nëpër stadiumet tona.

Gjyqtarët kosovarë tashmë janë gati ta bëjnë edhe këtë punë, por po e presin dritën jeshile nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). “Në xhiron e parë të kampionatit nuk do të mund të startojmë me katër gjyqtarë, sepse jemi duke e pritur miratimin e kësaj nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, por sigurisht që këtë do ta bëjmë më së largu nga xhiroja e tretë. Në këtë mënyrë ne po e përmbushim edhe një tjetër kriter të FIFA-s e UEFA-s”, deklaroi për Express, kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Ruzhdi Breznica.

Breznica potencoi se futbolli kosovar ka gjyqtarë të mjaftueshëm që pa problem do të mund ta kryejnë rrolin e referit të katërt. “I kemi të klasifikuar disa gjyqtarë të rinj, por që janë shumë cilësorë. Ata do ta kryejnë punën e gjyqtarit të katërt, nga se mund ta bëjnë këtë punë pa problem. Kështu do të rritet edhe cilësia e referimit. Gjyqtari i katërt nuk i zëvendëson vetëm lojtarët, por i kontrollon sjelljet e bankinave, e po ashtu mund ta sugjerojë gjyqtarin kryesor çfarë vendime të marrë, ndonëse përfundimisht vendos vetë gjyqtari kryesor”, pohoi ai.

“Prioritet i tij është ta zëvendësoj gjyqtarin kryesor, kur ai nuk është në gjendje të referojë, por mund t’i zëvendësojë edhe anësorët”, vazhdoi Breznica.

Por, kjo me gjasë nuk do të pritet mirë na klubet e Superligës, ngase tash e tutje do të jenë të detyruara ta paguajnë edhe një gjyqtar më shumë.

“Gjyqtarët paguhen prej klubeve. Andaj, do të paguhet edhe gjyqtari i katërt, por rreth 20 euro më pak sesa gjyqtari kryesor. Për këto detaje do të vendosim shumë shpejt. Ndërsa, nuk besoj se klubet do të ankohen, sepse ato veç po kërkojnë gjykim më cilësor”, përfundoi Breznica. Siç dihet, në gjithë Evropën ndeshjet kampionale i referojnë tre gjyqtarë, derisa ndihmohen nga kolegu i katërt, i cili konsiderohet si rezervist.

Madje, në Ligën e Kampionëve, Europa League, kampionate evropiane e botërore, ndeshjet futbollistike po referohen me nga pesë referë, pa i numëruar rezervistët. Kjo metodologji pritet të jetësohet në secilën ligë evropiane. Kurse, Kosova ka ngecur me të madhe në këtë segment, ngase vetëm tre gjyqtarë i referojnë duelet kampionale, madje pa marrë parasysh rëndësinë e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›