E Shtunë, 31 Tetor 2026

S'ka përgjigje nga Suedia

Komitetit Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Suedisë nuk ka mundur që të vendosë të enjten për t’ia falur apo jo Kosovës stadiumin ‘Rasunda’, siç i ka premtuar. Suedezët thonë se u nevojitet një debat më i gjerë mes tyre, para se të vendosin përfundimisht rreth kësaj çështjeje. Ndërsa, drejtuesit e futbollit kosovar janë optimistë se homologët e tyre nuk do t’i hanë fjalët e veta

Ende nuk dihet nëse Federata e Futbollit e Suedisë (FFS) do t’ia falë Kosovës stadiumin ‘Rasunda’, siç i ka premtuar, apo jo. Në fakt, Kombëtarja e Suedisë i ka thënë lamtumirë kësaj foleje të mërkurën, me një ndeshje miqësore ndaj Brazilit, duke u shpërngulur në një stadium të ri.

Suedezët i patën paralajmëruar udhëheqësit e futbollit kosovar se do t’i ftojnë në atë miqësore, për t’ua dorëzuar edhe zyrtarisht ‘Rasundën’. Por, kjo nuk ndodhi, derisa krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) morën informacione se suedezët kanë nisur ta ndryshojnë mendjen, duke e lënë fatin e ‘Rasundës’ në duart e Komitetit Ekzekutiv të FFS-së.

Por, edhe këta të fundit të enjten nuk ka mundur të vendosin asgjë rreth kësaj çështjeje. “Vetë fakti që bëhet fjalë për një stadium të vjetër e historik nënkupton se duhet të jemi shumë të kujdesshëm në marrjen e një vendimi. Para marrjes së vendimit, nevojitet një debat më i gjerë brenda Federatës sonë, në të cilin duhet të përfshihen shumëçka”, ka thënë për Express, nëpërmjet postës elektronike, shefi i Zyrës për informim në FSF, Jonas Nystedt.

Madje, Nystedt ka paralajmëruar se për fatin e ‘Rasundës’ Komiteti Ekzekutiv i FFS-së mund të vendos tek në muajin shtator.

Në anën tjetër, krerët e FFK-së shpresojnë se suedezët nuk do t’i hanë fjalët që ua kanë dhënë, siç thonë ata, për shkak të presioneve nga Serbia.

“Ata vetë na e kanë premtuar atë stadium, andaj ne besojmë se do ta mbajnë premtimin. Vetë kanë folur”, tha kreu i FFK-së, Fadil Vokrri.

37 mijë e 284 ulëse, e po ashtu edhe ulëset për persona VIP, komplet sistemi i dëgjimit dhe ai i ndriçimit, me standarde të FIFA-s e UEFA-s, e gjithë rrethoja speciale për sigurinë e publikut, 30 metra tunel lëvizës, 12 kioska për shitjen e biletave të ndeshjeve, katër porta lëvizëse dhe të gjitha pajisjet për sallën e konferencave për media - ishin paralajmëruar nga suedezët se do të niseshin drejt Kosovës.

E të gjitha këto, FFK-ja planifikonte t’i montonte në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’, me ç’rast në Mitrovicë pa problem do të mund të zhvilloheshin ndeshje ndërkombëtare. Por, a do të na e dërgojnë apo jo suedezët gjithë atë infrastrukturë, siç kanë premtuar, mbetet të shihet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›