E Shtunë, 31 Tetor 2026

Task Forca thjeshton procedurat në marrëdhënien shtet-biznes

Gjatë mbledhjes së Task Forcës së Reformës Rregullatore, ku merrnin pjesë si të ftuar edhe përfaqësues të shumë institucioneve, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se “përmirësimi i klimës së biznesit ka qenë dhe është një nga objektivat më madhorë të kësaj qeverisjeje, që konsideron sektorin privat, biznesin, një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të shpejtë e të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare”.

Sipas Kryeministrit, “rezultat i kësaj politike ka qenë rritja e numrit të bizneseve, përthithja e katër miliardë dollarëve investime të huaja në 6 vjet, rritja ekonomike dhe rënia e papunësisë, trefishimi i eksporteve, etj”.

“Gjithnjë e më shumë po rritet interesi i investitorëve vendas e të huaj për të investuar në këtë vend. Gjithnjë e më shumë bëhet e domosdoshme që burokracia shqiptare t’i shërbejë biznesit sa më mirë, të bëjë gjithçka për të lehtësuar barrën burokratike ndaj tyre”, u shpreh Kryeministri.
     

Disa nga lehtësitë e që do t’i ofrohen së shpejti biznesit kanë të bëjnë me numrin e procedurave të regjistrimit të biznesit, që do të reduktohet nga 5 që janë sot në vetëm 2 dhe kostoja e regjistrimit ulet në vetëm 100 leke, nga rreth 112 lekë që ka qenë.
   
  Për sa u përket lejeve të ndërtimit, Tirana, e cila deri vjet klasifikohej ne vendin e fundit në rajon dhe në botë do të lehtësojë biznesin e ndërtimit duke reduktuar numrin e procedurave dhe kohën për të marrë një leje ndërtimi.

Konkretisht numri i procedurave reduktohet nga 24 që janë sot në 5 dhe kohëzgjatja për të marrë një leje ndërtimi do të ulet në mënyrë drastike nga plot 436 ditë që duhen sot në 35 ditë. Kjo e bën të krahasueshme Tiranën me SHBA ku duhen 40 dite.

     Për furnizimin me energji, numri i procedurave reduktohet në 4, nga 6 që është sot, numri i ditëve nga 177 që është sot ulet në vetëm 45 ditë ndërsa kostoja reduktohet afro 3 herë.
     Për regjistrimin e pronësisë, numri i procedurave përgjysmohet - pra nga 6 që janë sot bëhen 3, ndërsa numri i ditëve të duhura për këtë proces reduktohet me 3 herë, pra nga 33 ditë që është sot bëhet 13.
     
Për pagesat e taksave do të ulet kontributi i punëdhënësit nëpërmjet heqjes së pagës së referencës; dhe thjeshtimit dhe shkurtimit të kohës, kostove dhe procedurave nëpërmjet veprimeve që do të kryhen online.
     
Për tregtinë e jashtme, dokumentet për eksport do të reduktohen me më shumë se gjysma, nga 7 që janë sot, në vetëm 3 dokumente. Ndërsa dokumentet për import reduktohen nga 8 që janë sot në 4. Koha e nevojshme për eksportim do reduktohet me 5 herë, nga 19 ditë që janë sot në 4 dite ndërsa koha për import do të reduktohet me 6 herë, nga 18 ditë në vetëm 3 ditë.
    
Po ashtu, përmirësime të ndjeshme do të bëhen në lidhje me zbatimin e kontratave, zgjidhjen e paaftësisë paguese, (falimentimin), marrjen e kredive, mbrojtjen e investitorit, etj./Start/

                                                                                             2012-03-17 10:59
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›