E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatarzynska: Ngërçi politik pengesë për integrimin

Ngërçi politik mbetet një pengesë e madhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kështu është shprehur ambasadorja e Polonisë në Tiranë Irena Tatarzynska, vendi i të cilës mban edhe presidencën e radhës të BE-së në një intervistë për “Deutsche Welle”.

Sipas saj mungesa e një dialogu mes palëve po pengon përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në BE ndërsa ka shtuar se Shqipëria, ashtu si cilido vend aspirant për t`u anëtarësuar në BE më parë dhe tani, duhet të plotësojë një sërë kushtesh.

“Tani që zgjedhjet lokale për Tiranën janë një kapitull i mbyllur mendoj se është koha për t`u fokusuar tek çështjet kyçe të integrimit, për të bërë të mundur përgjigjen pozitive për 12 aspektet e indentifikuara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë. Gjykuar në aspektin teorik them se nuk ka asnjë vështirësi në arritjen e këtyre objektivave. Kjo për vetë ekzistencën e një klime mbështetjeje në shkallë të gjerë të opinionit të brendshëm shqiptar për procesin e integrimit në BE, por dhe sepse këtë proces partitë kryesore në vend e kanë shpallur prej kohësh si prioritetin e prioriteteve në progamet e tyre sa i takon pjesës për politikën e jashtme” shtoi më tej ambasadorja polake.

E pyetur se sa shanse ka Shqipëria që brenda presidencës polake të arrijë të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, Tatarzynska theksoi se shanset që vendi të marrë statusin e kanditatit për BE janë tërësisht në dorën e shqiptarëve.

“Është një rregull i përgjithshëm për cilindo vend aspirant që vlerësohet nëse do të jetë ose jo anëtar i BE-së vetëm në bazë të meritave. Kur do të përmbushen detyrimet? Kuptohet që kjo është në dorën e politikanëve shqiptare dhe të qeverisë. Bashkimi Evropian dhe Presidenca Polake në mënyrë aktive dhe të pandërprerë janë në mbështetje të procesit integrues të Shqipërisë. Dhe ajo që pritet është plotësimi i kushteve që janë të qarta nga pala shqiptare duke i shoqëruar angazhimet në deklarata e dokumente me rezultate konkrete dhe të prekshme. Pra kjo kërkon në rradhë të parë përkushtimin e vendit aspirant” theksoi Tatarzynska.

Ndërkohë e pyetur edhe për reformën zgjedhore, Tatarzynska theksoi se ndryshimet në kodin zgjedhor janë mjaft të rëndësishme në mënyrë që qytetarëce t`i sigurohet e drejta e votës.
 

“Zgjedhjet janë një faktor determinant në vendosjen e shtetit ligjor dhe të demokracisë. Çdo qytetari duhet t`i sigurohet e drejta e votimit, duhet t`i sigurohet zhvillimi i një procesi transparent dhe i ndershëm për palët. Në themel të këtij aspekti qëndron hartimi dhe miratimi i një kodi elektoral që garanton zgjedhje të lira dhe demokratike. Në mënyrë të qartë nga komuniteti ndërkombëtar është apeluar disa herë që përmirësimi i kodit të bëhet në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Këto qëndrime tregojnë qartë për rëndësinë që ka realizimi i reformës zgjedhore në Shqipëri” përfundoi Tatarzynska.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›