E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatim- taksat në Berat gjobitin bizneset e pllakave të gurit për punë në të zezë

Biznesi i nxjerrjes dhe përpunimit të pllakave të gurit në qarkun e Beratit është një nga bizneset që vjen pas atyre të fasonëve për numrin më të madh të të punësuarve. Por duke qenë se aktualisht mban dhe numrin më të madh, është gjithmonë nën vëzhgim të instancave shtetërore për të mos lejuar shkeljet në drejtim të sigurimit të punëtorëve në këto pika. Kjo ka bërë që jo vetëm tani por dhe më parë, dega rajonale e tatim taksave të ketë kontrolle të herëpashershme për evidentim të punëtorëve në të zezë. Sipas drejtorit të tatim taksave të rrethit Berat, Myslym Haxhiu, bëhet e ditur se vetëm në muajt prill dhe  maj janë verifikuar 20 pika të tregtimit dhe përpunimit të pllakave të gurit ku janë evidentuar rreth 23 punonjës të pasiguruar. Pas kësaj, dega rajonale e tatim taksave ka marrë masa duke ndëshkuar subjektet private me gjoba dhe detyrim me çdo kusht të sigurimit të punëtorëve. Ky aksion kontrolli ka qenë dhe më i rreptë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Gorica e bardhë, mbi fshatin Novaj të rrethit të Skraparit, ku humbën jetën dy punëtorët e pasiguruar teksa nxirrnin pllaka brenda një grope. Por edhe pse aksioni do të vazhdojë në muajt e ardhshëm, pronarët e biznesit e kanë quajtur abuzim marrjen e masave nga institucionet e shtetit. Sipas tyre, ka rënie të kontratave me firma të huaja për blerjen e pllakave të gurit, dhe kjo i detyron ata që të marrin në punë vetëm disa ditore punonjës për të përpunuar, ambalazhuar dhe stivosur pllakat dekorative që më pas shkojnë në tregun europian. Të indinjuar, pronarët cilësojnë se nuk mund të sigurojnë për 1 muaj punëtorët që i mbajnë vetëm disa ditë në punë, pasi bëjnë një marrëveshje me këta punëtorë që bien në ujdi për faktin se radhët e të papunëve sa vijnë dhe shtohen dhe skanë mundësi tjetër ku të punësohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›