Tatim-taksat u rimbursojnë 1.2 miliard lekë TVSH bizneseve në tre muaj
Për 3-mujorin e parë të vitit 2010 bizneset janë rimbursuar me 1.2 miliard lekë për TVSH. Një vit më parë në të njëjtën periudhe rimbursimi i tatimit mbi vlerën e shtuar ishte 480 milionë lekë. Tatim-taksat detyrohen ti kthejnë bizneseve që deklarohen me humbje në fund
të periudhës diferencën e llogaritur nga TVSH e mbledhshme me atë të zbritshme. Në rastet kur firmat deklarohen me humbjet ligji ju njeh të drejtën të rimbursojnë TVSH për produktet që kanë blerë dhe nuk kanë mundur ti shesin. Thënë ndryshe bizneset kanë mbyllur të gjithë detyrimet me shtetin dhe kanë deklaruar falimentin. Në të gjitha rastet tatimi mbi vlerën e shtuar nuk llogaritet as si fitim as si humbje për bizneset pasi ai u faturohet në çmimin e produktit konsumatorëve.
Tatimet
Tatimet kanë arkëtuar në tremujorin e parë me 2 % ose 300 milionë lekë më shume se vlera e parashikuar. Elementi më i rëndësishëm, ka të bëjë me rritjen e TVSH me 24.5 % në muajin mars të këtij viti krahasuar me muajin mars të vitit 2009. Administrata tatimore ka mundësuar që gjatë muajit mars të rimbursojë 580 milion lekë. Ndërkohë gjatë vitit 2009 të ardhurat në tatime ishin në masën e rreth 95 për qind. Goditja më e madhe vjen nga taksa e tatimit mbi fitimin, ku nuk janë mundur të realizohen rreth 4 milionë dollarë arkëtimeve. Deficiti dëshmon edhe një herë krizën që ka mbërritur te bizneset, të cilat nuk po munden të risin aktivitetin. Fitimet e tyre kanë rënë me të paktën 50 milionë dollarë, duke ndikuar në arkën e shtetit. Edhe pse qeveria e ka ulur taksën e tatimit mbi fitimin me 10 për qind, sërish bizneset kanë probleme me menaxhimin e aktivitetit të tyre duke mos mundur të realizojnë sa duhet fitimet. Megjithatë, administrata e tatim-taksave thotë se të ardhurat në krahasim me vitin 2008 kanë pësuar rritje në masën e rreth 45 milionë dollarëve. Në total, qeverisë i munguan për 2009-n, rreth 75 milionë dollarë, edhe pse e rishikoi buxhetin dy herë brenda një viti. Sa u takon doganave, arkëtimet ishin minus 35 milionë dollarë me planin e vendosur nga Ministria e Financave
Dogana
Administrata doganore, ka tejkaluar objektivat ambicioze fillestare me 2 % ose mbi 200 milionë lekë. Treguesit që masim aktivitetin ekonomik po shfaqen në parametrat më maksimal dhe më të mirë që ka patur ekonomia shqiptare, kjo na jep bindjen që zhvillimet në ekonominë e vendit do të jenë më pozitive nga sa ishte optimizmi ynë i deritanishëm. Në vlerë absolutë, të ardhurat për muajin mars janë 2.1 miliardë më të larta se në të njëjtin muaj të vitit 2009 ose 28 %. Si periudhë 3-mujore, vijoi ai, administrata doganore konfirmon një rritje prej 2.8 miliardë lekë krahasuar me 2009, ose 13 % më shumë në buxhet. Këto të ardhura, janë realizuar në një muaj kur importi i karburanteve ka qenë 10 mijë ton më pak, nga 37 mijë ton në marsin e vitit të kaluar, në 27 mijë ton për marsin e këtij viti. Kjo do të thotë se kemi një rritje të qarkullimit të mallrave të tjera që kanë lidhje me biznesin dhe konsumatorin. Për këtë periudhë 3-mujore konfirmohet një rritje prej 700 milionë lekësh më shumë importesh në makineri dhe pajisje, ky zë nuk taksohet, por të ardhurat u gjeneruan nga rritja e investimeve në ekonominë reale dhe kjo rritje deklaroi ai u mundësua tërësisht gjatë muajit mars pasi në muajt e parë të vitit importi i makinerive dhe pajisjeve ishte në rënie. E njëjta gjë, konfirmohet edhe përsa i takon tregtisë së eksporteve. Në 3 muaj kemi një rritje të volumit të eksporteve shqiptare me 167 mijë ton ose 74 % më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe kjo ka ardhur jo vetëm për shkak të eksporteve të energjisë por edhe kategorive të tjera të mallrave.
Ornela Manjani