Tatimet: Edhe shteti ka borxhe
Në degën e Fierit borxhet arrijnë 60 milionë lekë
Dega rajonale e tatim-taksave Fier ka përpiluar listën e të gjithë debitorëve të saj, të cilët nuk kanë paguar detyrimet tatimore. Mes debitorëve ka me dhjetëra biznese private, si dhe shtetërore, që nuk kanë shlyer detyrimet tatimore për vitin 2009.
Drejtori i tatim–taksave për Fierin dhe Ballshin, Agim Isufaj, thotë se borxhi shkon në disa milionë lekë, shkaktuar kryesisht nga institucionet shtetërore. “Rreth 60 milionë lekë janë arkëtime që duhet të ishin kryer gjatë 2009-s, por për shkaqe të ndryshme nuk është bërë, duke u kthyer në borxhe. Këto borxhe janë shkaktuar nga mosshlyerja e detyrimeve tatimore kryesisht gjatë vitit 2009 dhe 2008”, thotë Isufaj. Drejtori i degës rajonale të tatimeve Fier sqaron se te kjo shifër debie nuk hyn një biznes i madh, i cili u ka tatimeve një borxh prej 52 milionë lekë. Me këtë biznes, tatimet janë në fazën e fundit të gjykimit dhe paraprakisht ndaj tij kanë marrë vendimin e bllokimit të aktivitetit. Nga totali i detyrimeve të prapambetura, shteti zë rreth 35 milionë lekë. Edhe kompania e naftës “Albpetrol” ka borxhe te tatimet, sikurse të zakonshmit ujësjellësit, e të tjera, në masën 15 milionë lekë.
#