E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioneri kundër diskriminimit xhelozon Avokatin e Popullit

Ministri Ksera: Të përcaktohet qartë se kush do të merret me monitorimin e politikave mbrojtëse

Institucioni i “Komisionerit” është një element i ri i parashikuar në projektligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, i cili është duke u diskutuar në komisionet parlamentare përpara se të marrë miratimin në sallën e Kuvendit. Komisioneri kundër diskriminimit duket se paralelizon punën që aktualisht kryhet nga një tjetër institucion, ai i Avokatit të Popullit.
Një fakt i tillë është bërë prezent edhe gjatë diskutimeve të djeshme në Komisionin Parlamentar të Punës dhe Komisionin e Integrimit, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Avokatit të Popullit. Lidhur me “komisionerin” e ri që parashikohet të vishet me pushtet pas miratimit të këtij ligji, ata janë shprehur se mbrojtjen e të diskriminuarve e bën institucioni i Avokatit të Popullit.
Nga ana tjetër, ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, është shprehur se “që nga korriku 2008 po zbatohet një ligj specifik për mbrojtjen nga diskriminimi gjinor, që është ligji “Për barazinë gjinore në shoqëri” dhe projektligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi” nuk e cenon atë, por është një instrument ligjor përforcues që merr përsipër të ngrejë edhe institucionin e “Komisionerit”, një institucion shumë i rëndësishëm ankimues e garantues i mbrojtjes nga diskriminimi, i munguar në ligjin “Për barazinë gjinore në shoqëri”.
Më tej, ministri i Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, ka theksuar faktin se është i domosdoshëm përcaktimi i qartë në këtë ligj i monitorimit të politikave mbrojtëse. “Vlerësoj të rëndësishme, është shprehur Ksera, që përveç strukturës së komisionierit, projektligji të japë një përcaktim më të qartë të mekanizmit institucional që do të merret më politikëbërjen, zbatimin dhe monitorimin e politikave mbrojtëse nga diskriminimi”.
Por sipas tij, “ky projektligj duhet përshëndetur për faktin se ka në objekt të tij mbrojtjen e kategorive më vulnerabël shoqërore nga të gjitha llojet e diskriminimit, paraqitet në momentin e duhur dhe rrit shkallën e përgjegjësisë së institucioneve shtetërore për të garantuar mosdiskriminimin në një shoqëri demokratike si kjo e jona”.
Ministri i Punës ka prezantuar më tej edhe targetet e këtij projektligji, duke i lidhur ato me politikat e ndërmarra nga institucioni që drejton. Ai ka përmendur se në këtë projektligj gjen vend të veçantë edhe kujdesi për komunitetin rom, si dhe garantimin e të drejtave të të moshuarve dhe eliminimin e diskriminimit te tyre. “Projektligji ka marrë parasysh gjendjen e vështirë në të cilën gjendet minoriteti rom dhe sanksionon një përpjekje më shumë për rritjen e standardeve të tyre të jetesës”. Ksera theksoi se Ministria e Punës ka hartuar dhe zbaton masa pozitive për mbështetjen edhe të grupeve të tjera vulnerabël si nxitja e punësimit të femrave, kjo pasi niveli i papunësisë në këtë kategori është identifikuar më i lartë se te meshkujt. Kjo mbështetje konsiston në financimin nëpërmjet buxhetit të masës së detyrimeve për sigurime shoqërore dhe për femrat mbi 35 vjeç, të trafikuara, gra nga komuniteti rom dhe femra me aftësi të kufizuara, si dhe kompensimi i një pjese të pagës deri në nivelin e pagës minimale.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›