E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet: Kasat fiskale, kushtet për t‘i përdorur

Në amullinë ku është përfshirë procesi i vendosjes së kasave fiskale, administrata tatimore është detyruar t‘i sqarojë subjektet private për kushtet e instalimit dhe përdorimit të pajisjeve. Në formë pyetësori, Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave (DPT) u ka kthyer përgjigje 11 dilemave rreth procesit të instalimit dhe përdorimit të mjeteve elektronike, të nevojshme për regjistrimin e xhiros ditore. Aktualisht procesi nuk po ecën me ritmet e parashikuara sipas vendimit të qeverisë, për pasojë në tre muajt e fundit bizneset janë ndëshkuar me sanksione të ndryshme, kryesisht gjoba 1 milion lekëshe. Në udhëzimin e DPT jepen sqarime rreth kategorisë së bizneseve që duhet të pajisen me kasa fiskale, pas konstatimeve të reja se jo të gjithë janë të detyruar për t‘i përdorur. Nga të dhënat operative, vetëm 2800 biznese VIP në të gjithë vendin dhe me TVSH, për rajonin e Tiranës, janë të pajisur me pajisjen fiskale, ndërkohë që në shtator ka nisur faza e dytë e instalimit për bizneset e mesme për qytetet kryesore. Ky proces duhet të përfundojë në dhjetor, ndërsa në janar nis faza e tretë për rajonet e tjera të vendit, deri në përfundim, që përkon në dhjetor të vitit 2010.

Kriteret

Që në fillim të pyetësorit, Tatimet specifikojnë rastet kur subjektet tatimpaguese duhet të pajisen dhe të përdorin pajisje fiskale. Sikurse e parashikon edhe neni 54 i ligjit të ri "Për procedurat tatimore", të gjithë tatimpaguesit e shitjeve me pakicë, që shesin mallra apo ofrojnë shërbime në mjedise apo njësi të përhershme, të hapura për publikun, duhet të instalojnë pajisje fiskale dhe të lëshojnë kuponë tatimorë për çdo transaksion. "Janë të detyruara të përdorin pajisje fiskale ato biznese që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës. Kasa bën të mundur regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin në mënyrë të detyrueshme të kuponit tatimor", sqaron DPT-ja. Edhe shitësit e produkteve që trokasin derë më derë, janë të detyruar ta përdorin kasën fiskale. Sipas Tatimeve, këta shitës duhet të pajisen dhe të përdorin pajisje fiskale të lëvizshme dhe të presin kuponin tatimor për çdo shitje të realizuar. "Mallrat nga magazina dalin me një faturë tatimore shoqëruese me çmimet e magazinës, me shënimin për shitjet derë më derë, me sasi dhe çmim të mallrave në magazinë dhe pjesa e pashitur e tyre kthehet në magazinë për t‘u bërë hyrje po me çmimet e daljes (magazinë) të shoqëruara gjatë rrugës edhe me kopjet e kuponëve të shitjeve të realizuara, të cilat shërbejnë për efekt kontrolli gjatë rrugës nga organet e kontrollit", vijon sqarimin DPT-ja.

Kasa dhe faturat

Bizneset ngrenë disa pikëpyetje rreth përdorimit të kasës dhe lëshimit të faturës. Shumë subjekte private i lëshojnë faturat përmes disa pajisjeve elektronike të miratuara edhe nga Tatimet. Në këtë pikë, ata kërkojnë sqarime nëse është e detyrueshme blerja dhe instalimi i kasës, kur e kanë një pajisje të tillë, të vendosur kohë më parë, para miratimit të ligjit. "Kuponi tatimor lëshohet në çdo rast kur arkëtohen pagesa me para në dorë nga furnizimi i mallrave, apo shërbimeve në njësi të hapura për publikun dhe pavarësisht se shoqëria, e cila ka marrë autorizimin e përdorimit të faturës kompjuterike, apo edhe ajo e cila përdor fatura tatimore të shpërndara nga organi tatimor, është e detyruar të përdorë pajisjen fiskale", i përgjigjet Drejtoria e Tatimeve dilemës për ato subjekte që i kanë në punë pajisjet e blera kohë më parë (për shembull baret, restorantet etj.). Një tjetër sqarim vjen për subjektet që nuk kanë kryer asnjë fitim apo shitje gjatë momentit kur duhet vendosur kasa. Për administratën tatimore është i rëndësishëm fakti se nëse biznesi kryen shitje, ai duhet ta kryejë atë përmes kasës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›