E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurbin, maskat grabisin dy çifte fierake

Rishfaqen grabitjet në rrugë. Rasti më i fundit është regjistruar në Kurbin, në aksin rrugor Kukës-Tiranë. Dy persona të maskuar dhe të armatosur u kanë zënë pritë dy çifteve nga Fieri, që udhëtonin me makinën. Mësohet se katër të rinjtë fierakë, kishin qenë për disa ditë me pushime në Kosovë dhe mbrëmjen e së shtunës po ktheheshin në qytetin e tyre, kur janë sulmuar nga grabitësit. Mësohet se Leonard dhe Esmeralda Bana, si dhe Florian dhe Jonida Vrioni, kishin ndaluar makinën në buzë të rrugës dhe kishin vendosur të shijonin për pak minuta peizazhin e bukur në Skuraj, të Kurbinit. Pikërisht në këtë moment, nga terri i natës janë shfaqur dy persona të maskuar, të cilët nën kërcënimin e armëve i kanë detyruar katër fierakët të shtriheshin barkas, me fytyrë nga toka. Pasi u kanë marrë sendet me vlerë, njëkohësisht edhe automjetin me të cilin udhëtonin të rinjtë, ata janë larguar me shpejtësi. Njëra prej vajzave, që ka pasur në trup celularin ka lajmëruar policinë për ngjarjen. Vonesa e uniformave blu, ka bërë që çiftet të udhëtojnë në këmbë deri në një pikë karburanti që ndodhej dhjetëra metra më tutje nga vendi i ngjarjes dhe që prej andej kanë shkuar në Komisariatin e Policisë, ku kanë denoncuar grabitjen. Ata kanë rrëfyer itinerarin që po përshkonin dhe momentin kur kanë rënë pre e maskave. Forcat e policisë, të cilat mbërritën me vonesë në vendngjarje kanë nisur hetimet dhe mësohet se është bërë e mundur identifikimi i autorëve, por për arsye hetimi, emrat e tyre nuk bëhen publikë. Ata janë shpallur në kërkim dhe ndërkohë po punohet për gjetjen dhe prangosjen e tyre. Ky nuk është rasti i vetëm që drejtuesit e automjeteve bien pre e grabitjeve. Rasti më i fundit ka ndodhur rreth një muaj më parë, në aksin Pukë-Shkodër në vendin e quajtur Qafë-Qelë, ku tre persona të maskuar dhe të armatosur grabitën me armë një automjet me targa angleze duke i marrë 3500 euro. Po ashtu, javën e parë të korrikut një familje kosovare, ra pre e grabitësve teksa hynte në Shqipëri nga pika kufitare e Morinit. Dy persona të armatosur tentuan t‘u grabisin automjetin me të cilin udhëtonin, ndërkohë që nga përplasja mbeti e plagosur një 28-vjeçare, nënë e dy fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›