E Diel, 1 Nëntor 2026

Paloka: Rama kërkon lejet e ndërtimit në KRRTRSH

Demokratët ashpërsojnë tonin ndaj vendimit të PS-së për të bojkotuar Kuvendin. Në qendër të akuzave, demokratët vendosin kryetarin e PS-së, Edi Rama, për të cilin deputeti i PD-së, Edi Paloka, e lidh vendimmarrjen e kampit socialist për bojkot me bllokimin që i është bërë KRRT-së. "Jam sot këtu për të denoncuar një nga skandalet e paturpshme të Edvin Ramës, i cili ditën publikisht përgatit dhe shpërndan letra për gjoja kushte që do të lejonin PS-në të hynte në Parlament, ndërsa natën mesazherët i dërgon që të interesohen për lejet e ndërtimit në KRTRRSH", tha Paloka. Sipas tij, "kjo tregon se kryetari në detyrë i PS të gjitha interesat e tij politike e jopolitike vazhdon t‘i ketë të lidhura vetëm me lejet e ndërtimit dhe përfitimet abuzive nga këto leje". Deputeti Paloka përmendi se mes politikanëve shqiptarë ka një etikë që mesazhet jozyrtare të mos bëhen publike dhe ka sqaruar edhe arsyet që e kanë shtyrë për të thyer këtë rregull. "Ekziston një etikë në marrëdhëniet midis politikanëve shqiptarë që mesazhet jozyrtare të mos bëhen publike, por kur këto mesazhe arrijnë në nivel të tillë paturpësie, sigurisht që ne nuk mund të heshtim. Që nga momenti i bllokimit të KRRT të Tiranës për Edvin Ramën, ky zotëri është detyruar të lëvizë të gjithë gurët për të arritur marrëveshje jo për interesat e shqiptarëve dhe të elektoratit të tij, por vetëm për interesat e tij personale", përfundoi Paloka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›