E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kërkon Bollanon në gjyq

Ka vijuar sot në qytetin e Vlorës, gjyqi ndaj kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Megjithëse është thirrur disa herë në gjyq nga oragani i akuzës, Bollano nuk ka marrë pjesë në seanca por ka dërguar avokatin e tij Petraq Curri. Sot para organit të akuzës ka dëshmuar edhe dëshmitari i fundit i thirrur nga gjykata, Aleks Teli, shef i policisë bashkiake të Himarës.

Ai është pyetur nga Sokol Malaj, prokurori i çështjes, në lidhje me zbatimet e urdhrave dhe kontaktet që ka pasë me firmat zbatuese të tabelave dhe ai ka thënë se i ka zbatur në bazë të ligjit, sipas urdhrave të dhëna nga kryetari i Bashkisë Vasil Bollano. Ka vazhduar seanca me detaje për vendosjen e tabelave dhe prokurori i akuzës ka kërkuar që të paraqitet vetë Bollano për ta pyetur.

Prokuroria akuzon Bollanon se ka shpërdoruar 2.1 milionë lekë të reja për të zëvendësuar tabelat përgjatë rrugës në komunën e Himarë, nga gjuha shqipe në gjuhën greke, gjë e cila bie në kundërshtim me nenin 248 të Kodit Penal. Sipas Malajt, urdhri i nxjerrë nga Bollano, i cili ju paraqit trupit gjykues me cilësinë e provës materiale, ka dhënë premisa për çrregullimin e qarkullimit rrugor në aksin Qeparo Llogora, ku edhe janë hequr tabelat. Gjithçka ka filluar në datën shtatë dhjetor të vitit të kaluar kur me urdhër të Bollanos janë hequr gjithë tabelat përgjatë rrugës nacionale, tabela këto të vendosura pas një tenderi të zhvilluar në Ministrinë e Transporteve.

Heqja e tyre për organin e akuzës përbën shkelje ligjore, e shoqëruar me një dëm ekonomik prej 21 milionë lekësh, për të cilën Bollano duhet të japë llogari para gjykatës së Vlorës. Seanca e radhës për kreun e bashkisë së Himarës do të zhvillohet në datën 19 tetor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›