E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet bllokojnë llogaritë personale të biznesmenëve

Praktika ndiqet pas një udhëzimi të lëshuar nga Ministria e Financave ku ndryshe nga ligji, urdhërohet bllokimi edhe i llogarive bankare personale të administratorëve të bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet

TIRANË- Bizneset në vend prej disa muajsh janë duke u përballur me efektet negative të një udhëzimi të lëshuar nga Ministria e Financave për bllokimin e llogarive bankare në rastet e mosshlyerjes së detyrimeve tatimore. Problematika ka të bëjë me një udhëzim të lëshuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode, në shtator të vitit 2008 për mënyrën se si do të zbatohet ligji "Për procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë". Ndryshe nga nga sa përcaktohet në dispozitat ligjore, udhëzimi i dalë nga financat i tejkalojnë ato duke prekur llogaritë bankare personale të pronarëve apo administratorëve të subjekteve tregtare.


Në nenin 90 të ligjit "Për procedurat Tatimore" përcaktohet rruga që do të ndiqet për bllokimin e lliogarive bankare të subjekteve që nuk paguajnë detyrimin tatimor. Kështu, ligji parashikon në mënyrë të qartë se, nëse tatimpaguesi nuk paguan në kohë detyrimin e tij, administrata tatimore u kërkon të gjitha bankave ku subjekti ka llogari bankare në emër të tij, t'i bllokojë ato në raport me shumën që biznesi ka për të paguar. "Nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar administrata tatimore i kërkon çdo banke ku tatimpaguesi ka llogari në emër të vet, të mbajë një shumë e cila duhet të jetë më e vogla ndërmjet: shumës që kërkohet të mbahet; shumës që rezulton në llogari në çastin e bllokimit", përcaktohet në nenin 90 të ligjit "Për procedurat Tatimore". Në rastin konkret, ligji përcakton në mënyrë të përpiktë rrugën që do të ndiqet në këto situata si dhe subjektin të cilit do t'i bllokohet llogaria.


Por, në momentin e nxjerrjes së udhëzimit nr. 24 "Për Procedurat Tatimore", Ministria e Financave e ka zgjeruar edhe më tej rrethin e atyre që i bllokohen llogaritë bankare në rastet kur biznesi vonon në shlyerjen e detyrimeve ndaj tatimeve. Udhëzimi nuk mjaftohet vetëm me bllokimin e llogarive që janë në emër të subjektit tregtar, por shtrihet edhe më tej duke ndërhyrë në llogaritë personale të pronarëve madje edhe të administratorëve. "Urdhri i Bllokimit i dërgohet bankave tek te cilat administrata tatimore ka dijeni se tatimpaguesi, ose administratori apo pronaret e shoqërisë tregtare, kane llogarite e tyre, si dhe te gjitha bankave te tjera me seli ne Republikën e Shqipërisë", - përcaktohet në udhëzim, çka bën që administrata tatimore të kërkojë bllokimin edhe të llogarive personale të individëve në fjalë.


Nga ana tjetër, kreu i Drejtorisë së Tatimpaguesve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Erjon Prifti, mohon ndjekjen e një praktike të tillë nga ana e administratës tatimore në rastet e bllokimit të llogarive të bizneseve që nuk kanë shlyer detyrimet. "Çdo veprim i administratës tatimore është në përputhje me ligjin "Për procedurat Tatimore". Subjekti njoftohet për detyrimin tatimor që ka për të paguar dhe i lihet një afat kohor prej 30 ditësh për ta ankimuar atë. Më pas, nëse nuk shlyhet detyrimi, ai lajmërohet përsëri dhe më pas çështja i kalohet Drejtorisë së Borxhit e cila u kërkon bankave bllokimin e aseteve dhe llogarive që ka subjekti. Parësor është ligji pastaj udhëzimi i Ministrit", - shpjegoi Prifti.


Mënyrën se si veprohet momentalisht për të mbledhur detyrimet tatimore te prapambetura, bizneset e cilësojnë si rrugën më të lehtë të ndjekur nga administarata tatimore ndërkohë që referuar përcaktimeve ligjore, ky është hapi i fundit i cili ndiqet në rastet të tilla. E. Senja


Neni 90 i ligjit "Për procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë"

..... Nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar, në
përputhje me nenin 89 të këtij ligji, për njoftimin dhe kërkesën për pagesë, administrata
tatimore, nëpërmjet një urdhri me shkrim, të lëshuar nga drejtori i drejtorisë rajonale
apo drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, apo titullari i zyrës tatimore të qeverisjes
vendore, i kërkon çdo banke, ku tatimpaguesi ka llogari në emër të vet, të mbajë një
shumë, e cila duhet të jetë më e vogla ndërmjet:
a) shumës që kërkohet të mbahet;
b) shumës, që rezulton në atë çast në llogarinë bankare të tatimpaguesit.

Udhëzimi nr.24 "Për Procedurat Tatimore Në Republikën e Shqipërisë"

....ky Urdhër Bllokimi i dërgohet bankave tek te cilat administrata tatimore ka dijeni se tatimpaguesi,
ose administratori apo pronaret e shoqërisë tregtare, kane llogarite e tyre, si dhe të
gjitha bankave te tjera me seli ne Republikën e Shqipërisë.


Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›