Buxheti i pamiratuar, krizë ekonomike në Bashkinë e Fierit
Bashkia e Fierit është në krizë financiare prej mosmiratimit të buxhetit për këtë vit. Që prej fillimit të këtij viti pushteti vendor i Fierit gjendet në vështirësi financiare për kryerjen e investimeve dhe garantimin e shërbimeve në disa sektorë si pastrimin e qytetit dhe atë komunal. Sipas drejtoreshës së departamentit të financë-buxhetit në Bashkinë e Fierit, Antoneta Dhima, situata e krijuar është pasojë e mosarritjes në miratim të buxhetit të bashkisë për vitin 2010. “Këshilli Bashkiak i Fierit prej katër muajsh po mban peng mosfunksionimin normal të shërbimeve për komunitetin e qytetit, pasi çdo gjë është e lidhur me buxhetin e pamiratuar”, ka thënë drejtoresha Antoneta Dhima. Më tej ajo ka shtuar se ndonëse jemi në muajin e pestë të vitit, bashkia ka kryer vetëm shpenzimet më të domosdoshme. “Këto shpenzime po bëhen për aparatin e bashkisë, si dhe për ndërmarrjet vartëse të saj. Nuk bëhet fjalë aspak për investime. Nuk bëhet fjalë as për marrëveshje që janë ratifikuar nga këshilli bashkiak. Të gjitha këto bëjnë të mundur paralizimin e të gjithë aktivitetit të bashkisë, kryesisht në shpenzimet për komunitetin, shpenzime që lidhen me shërbimet dhe investimet. Janë rrezikuar jo vetëm investimet e parashikuara nga bashkia, por edhe ato projekte të mbështetura nga donatorë të ndryshëm”, ka thënë për gazetën “Shqip” Antoneta Dhima.
Mësohet se për katërmujorin e parë të vitit 2010 bashkia kishte parashikuar një sërë investimesh dhe ndërhyrjesh në infrastrukturë apo sektorë të tjerë. Por asnjë nga parashikimet nuk është përmbushur, për faktin e vetëm se bashkia ndodhet në krizë ekonomike, për shkak të mosmiratimit të buxhetit.
“Ne po kryejmë vetëm shpenzimet më të domosdoshme, që janë pagat dhe sigurimet shëndetësore e ato shoqërore”, ka vijuar më tej Dhima. Duket se taksat vendore po mbajnë “të gjallë” administratën e Bashkisë së Fierit, e cila efektivitetin e saj e ka vetëm te tërheqja e pagave dhe pritja e gjatë për miratimin e buxhetit. Ndërkaq, tri ditë më parë, kryetarët e grupeve të këshilltarëve të Bashkisë Fier janë mbledhur dhe kanë vendosur për mbledhjen e radhës së këshillit që do zhvillohet të enjten e javës së ardhshme.
#