E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluturon Aeroporti

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, pas disa vitesh, do ta ketë një pamje krejtësisht tjetër. Një terminal prej 25 mijë metrave katrorë, tri herë më i madh sesa ekzistuesi, si dhe një kullë të re të trafikut bashkë me platformën e re të parkingut për qytetarët.

Me këto investime, që kapin vlerën e 100 milionë eurove, koncesionuesit thonë se do të jetë e vështirë të dallohet ANP-ja nga aeroportet e tjera ndërkombëtare. Së paku, këto janë disa nga kushtet që dalin nga kontrata e partneritetit publiko-privat mes Qeverisë se Kosovës dhe konzorciumit turko-francez, “Limak – Aeroport de Lyon Consortium”, që u shpall fitues të premten për ta udhëhequr ANP-në për 20 vitet e ardhshme.

Nga kjo kontratë, buxheti i Kosovës do të përfitojë prej 25 deri në 55 për qind nga të hyrat vjetore bruto të ANP-së. Vitet e para, koncesionari do t’i ndajë çdo vit nga 25 për qind të fitimit, kurse vitet pasuese përqindja do të rritet derisa të arrijë në 55 për qind.

Një obligim tjetër që del nga kontrata, është mbajtja e punëtorëve ekzistues në punë. Për këtë përfaqësuesit e konzorciumit fitues premtuan se nuk e kanë në plan ta reduktojnë numrin e punëtorëve.

Me rastin e hapjes së ofertave, kryeministri e Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë së partneri privat do të investojë paratë e tij, ndërkaq qytetarët janë ata që do të përfitojnë shërbime moderne.

“Për herë të parë kemi kompani të njohur që do të investojnë përmes partneritetit privat. Nga fituesi presim investime dhe shërbime moderne për qytetarët”, është shprehur Thaçi.

Dhënien me koncesion të ANP-së, ai e ka arsyetuar me mungesën e mjeteve dhe kërkesën e lartë për investime në shumë sektorë, si dhe nevojën e madhe për të ecur sipas zhvillimeve të rajonit. Numri një i ekzekutivit ka thënë se Aeroporti nuk po privatizohet, por vetëm është ftuar një operator privat që ka përvojë të madhe, i cili do të investojë afër 100 milionë euro në vitet e ardhshme.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, nevojat dhe kërkesat e Kosovës për investime në shumë sektorë, aktualisht janë 7 miliardë euro.

Ministri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, thekson se vlerësimi i ofertave është bërë nga një komitet me kualifikim profesional, i përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë, ligjor financiar dhe teknik, të cilët kanë punuar bashkë me zyrtarë vendorë.

“Ky proces është menaxhuar në mënyrë transparente dhe të pashembullt. Qeveria është plotësisht e përkushtuar për këtë projekt”, ka thënë Limaj.

Ky projekt, sipas tij, ka qenë interes nacional dhe është një model i cili duhet të merret shembull për të ardhmen.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës llogaritet si njëri nga aeroportet më të ngarkuara të Ballkanit. Vetëm vitin e kaluar, ANP-ja ka shërbyer më shumë se 1.2 milion udhëtarë.
Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave, tha se futja e kapitalit privat në ANP është një hap i rëndësishëm dhe përpjekje e suksesshme e Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e investimeve në infrastrukturën dhe shërbimet publike në vend.

Sipas tij, ky proces do të përçojë sinjale të forta për qëndrueshmërinë ekonomike të shtetit të Kosovës.

“Fakti që kompanitë me renome ndërkombëtare po garojnë për të sjellë para, është arritje e madhe për vendin tonë”, pohoi Shala.

Nga ana tjetër, përfaqësues i konzorciumit fitues, Mertol Genç, tha se janë të kënaqur që janë fitues të tenderit dhe premtuan se do ta ofrojnë gjithë përvojën dhe njohuritë e tyre për të mirën e Kosovës.

“Në bazë të marrëveshjes së koncesionimit, ne do t’i realizojmë investimet e zotuara në afatin e caktuar kohor. Është shumë herët që të flas diçka më konkretisht në tejkalimin e shumës së investimeve”, tha Genç.

Në bazë të kontratës, partneriteti publiko-privat në ANP parashihet të jetë një marrëveshje 20-vjeçare. Investimet nga operatori privat përfshijnë ndërtimin e një ndërtesë të terminalit të ri, tri herë më i madh sesa ekzistuesi, apo 25 mijë metra katrorë. Do të bëhet ndërtimi i një kulle të re të trafikut dhe pajisjeve përcjellëse, platformë të re parkingu si dhe uzinë për përpunimin e ujit. Gjithashtu, koncesionari do të drejtojë dhe mirëmbajë aeroportin gjatë afatit të përcaktuar në kontratë.

Konzorciumit turko-francez, “Limak – Aeroport de Lyon Consortium”, që u shpall fitues të premten, ishte në garë më dy konzorciume të tjera - Fraport IC ICTAS Havalimani Isletme A.S dhe Bouyges Batiment - Egis - Segap – Eurokoha. Konzorciumi i fundit është tërhequr nga gara para shpalljes së ofertave.

Ejupi akuzon kryeministrin

Pronari i kompanisë “Euro Koha”, Remzi Ejupi, procesin e koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës e ka quajtur të manipuluar dhe jotransparent. Ai në deklaratë për media, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, se ka dorë, siç thotë ai, në manipulime dhe pazare në këtë proces.
Sipas tij, kompania që ai drejton, “Euro Koha” dhe partnerët e tij të konzorciumit, “Bouyges Batiment Egis” janë tërhequr paraprakisht nga gara për koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, pasi që kanë kuptuar se ky proces është i manipuluar.
“Kryeministri Thaçi është ai që ka pasur dorë dhe ka ndikuar në këtë proces”, ka thënë Ejupi. Sipas tij, në këtë proces ka pasur manipulime nga niveli i lartë i shtetit. Ata e kanë përcaktuar paraprakisht se kush do të jetë fitues.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›