Tatimet falin 12,8 mld lekë nga ligji për faljen e borxheve
Administrata Tatimore ka bërë me dije se deri më tani që prej nisjes së implementimit të ligjit të faljes janë falur plot 32 mijë e 400 raste, me një vlerë prej rreth 12,8 miliardë lekë. Në të njëjtën kohë, janë pjesë e procesit dhe ato biznese të cilat duhet të paguajnë 30 dhe 50 për qind principal, në vlerën totale 4.3 miliardë lekë. Sipas drejtorit të shërbimit të tatimpaguesve në Administratën Tatimore, Erjon Prifti, deri tani janë paguar vetëm 34 milionë lekë. Sipas informacioneve nga Tatimet, nuk ka individë të cilët kanë legalizuar asetet e tyre. Nga gjoba apo kamatëvonesat, taksat që janë falur në një nivel më të lartë janë TVSH-ja, me vlerë 1 miliard lekë, tatimi mbi fitimin me vlerë 876 milionë lekë etj. Gjithashtu, Prifti u ka bërë thirrje bizneseve dhe individëve që të paguajnë në mënyrë vullnetare, principalin e përfituar nga falja. Afati i fundit për të përfituar nga ky ligj është 31 dhjetori i 2011.