Jaka: Amnistia dështoi, financat të mbledhin grupet e interesit
Komuniteti i biznesit gjykon se Ligji i Faljes Fiskale, i cili u miratua tre muaj më parë, ka dështuar. Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në një konferencë për shtyp ka deklaruar dje se ligji i faljes në formën që e miratoi qeveria nuk e përmbush qëllimin kryesor të tij, atë të deklarimit të kapitaleve. Në emër të komunitetit që ai drejton, i ka kërkuar qeverisë të marrë masa që ky proces i rëndësishëm të mos dështojë. Ai i propozon Ministrisë së Financave të mbledhë grupet e interesit me qëllim që të ridimensionohet ligji për të realizuar qëllimin fillestar prej kur u propozua. "Ka shumë punë për të bërë, Ministria e Financave duhet të mbledhë të gjithë aktorët në mënyrë që ligji të marrë qasjen e sipërmarrësve, që të kenë siguri për të qenë subjekt i tij. Ne nuk kemi statistika se në ç'nivel është zbatimi i ligjit, sepse Ministria e Financave nuk i bën publike periodikisht, por skepticizmi ynë e ka shoqëruar miratimin dhe implementimin e këtij ligji", tha Jaka. Dhoma e Tregtisë ishte një nga nismëtarët kryesorë të hartimit të ligjit për Amnistinë Fiskale. Por qeveria nuk e pranoi të plotë draftin e propozuar nga biznesi. Ajo ndryshoi pikën që kishte të bënte me garancinë dhe konfidencialitetin e dosjeve të kompanive. Por, në të njëjtën kohë, kreu i Dhomës së Tregtisë është shprehur optimist duke përshëndetur nismën e Bashkisë së Tiranës, për zgjidhjen e çështjes pezull të tregut të ndërtimit, që ka të bëjë pikërisht me hipotekimin e 400 pallateve në Tiranë. “Dhoma e Tregtisë në bashkëpunim me Shoqatën e Ndërtuesve Tiranë kanë rreth një vit që punojnë për një formalizim dhe lehtësim të procedurave në hipotekimin e ndërtimeve me leje, por të pa hipotekuara për mangësi të ndryshme apo procedura të fryra burokratike. Ky memorandum mirëkuptimi do sjellë një çlirim dhe frymëmarrje për qytetarin e Tiranës lidhur me autorësinë e pronës së blerë por të pacertifikuar. Po t’u referohemi statistikave të dhëna, si nga bashkia, zyra e regjistrimit të pasurive apo Shoqata e Ndërtuesve, përfitimet janë shumëdimensionale.”- tha Jaka. Sipas tij, hipotekimi do të çlirojë nga ankthi të gjithë ata qytetarë që posedonin de fakto, por jo de juro, një pronë të blerë. “Së dyti, do doja të përmendja mundësinë që i jepet këtij target grupi qytetarësh për të implementuar me sukses nisma apo sipërmarrje të vogla apo të mesme në sektorin privat, duke i konsideruar tashmë pronat e tyre si një potencial kolaterali në marrëdhënie me sistemin bankar të kredidhënies. Së treti, dhe me përfitim të dyfishtë, është mundësia që u jep ligji për faljen fiskale dhe legalizimin e kapitalit të gjithë qytetarëve që përfitojnë nga ky vullnet i mirë i kryebashkiakut të Tiranës. Së katërti, industria e ndërtimit do mbyllë kalvarin e gjatë të pritjes për procesin e hipotekimit të objekteve të ndërtuara, duke finalizuar edhe mbledhjen e këstit të fundit si dhe pagimin e detyrimeve shtetërore.”- u shpreh kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka. Ai bëri me dije se në funksion të memorandumit në fjalë, Dhoma e Tregtisë dhe Shoqata e Ndërtuesve Tiranë do paraqesin pranë Bashkisë Tiranë propozimet konkrete të specifikuara për implementimin me sukses të këtij memorandumi.