E Diel, 1 Nëntor 2026

Kika: Nga memorandumi mes bashkisë dhe ministrive çlirohen 2 mld euro

Hipotekimi i 400 pallateve në kryeqytet do të fusë në treg një shumë të konsiderueshme të hollash dhe do të çlirojë nga ankthi i certifikatës së pronësisë shumë familje

Nënkryetari i Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve, Avenir Kika, shprehet për gazetën MAPO se nga regjistrimi i pallateve të reja do të futet në treg një vlerë pasurie prej 2 miliardë eurosh. Sipas Kikës, parashikohet që regjistrimi të nisë në javët e para të nëntorit dhe të zgjasë rreth tre muaj. Regjistrimi i pallateve do të bëhet mbi parimin e ngarkimit të përgjegjësisë te ndërtuesit apo edhe te pronarët e tokës, në rastet kur mes dy palëve ka mosmarrëveshje. Në emër të ndërtuesve, Kika përshëndeti memorandumin e nënshkruar dje mes Bashkisë së Tiranës dhe dy ministrive për regjistrimin e pallateve të reja. Avenir Kika, nënkryetar i Shoqatës së Ndërtuesve, thotë se me anë të aktit të djeshëm më në fund institucionet shfaqën vullnetin për të zgjidhur një problem që bartet prej vitesh dhe që prek interesat e 400 firmave të ndërtimit dhe të 30 mijë familjeve. Kështu, pjesa e ndërtuesve dhe e pronarit të tokës do të bllokohet derisa ata të merren vesh, ndërsa apartamentet që janë shitur te të tretë do të regjistrohen rregullisht. Në rastet kur firmat ndërtuese kanë falimentuar ose e kanë mbyllur aktivitetin, detyrimet e subjekteve ndërtuese do t’i marrë Bashkia e Tiranës. Pak ditë më parë, kryetari i baskisë, Lulëzim Basha, nënshkroi një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Transporteve për të vënë në jetë premtimin e dhënë gjatë fushatës elektorale për kreun e bashkisë së kryeqytetit për të pajisur me hipotekë të gjitha familjet e Tiranës që kanë blerë një apartament të ri dhe nuk e kanë certifikatën e pronësisë. Nga ana e tyre, ndërtuesit përgatitën një draftligj me të njëjtin qëllim për të pajisur me hipotekë qytetarët, por në të njëjtën kohë të mos kenë probleme me lejen e shfrytëzimit në të ardhmen përsa i përket ndërtimeve të reja që do të bëhen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›