E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet sqarojnë fermerët: Kompensimi 10% përmes autofaturave

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Administrata Tatimore ka publikuar një sesion me pyetje dhe përgjigje për procedurën e kompensimit të fermerëve në masën 10%, duke synuar të sqarojë mënyrën e aplikimit dhe problematikat që mund të hasen gjatë procesit.

Në materialin informues, Administrata Tatimore thekson se kompensimi i fermerëve realizohet përmes autofaturave, duke u dhënë përgjigje pyetjeve më të shpeshta lidhur me faturimin, aplikimin online dhe përfitimin e kompensimit.

Një nga çështjet e ngritura lidhet me fermerët e regjistruar që kanë aplikuar online për kompensimin, por gjatë aplikimit nuk u janë shfaqur faturat e muajit qershor 2026. Sipas Administratës Tatimore, mosshfaqja e faturave ka ardhur si pasojë e fshirjes së një çështjeje të krijuar më parë në sistem.

Për zgjidhjen e problematikës teknike, fermerët duhet t’i drejtohen Drejtorisë Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar, e cila do të kryejë verifikimet dhe ndërhyrjet e nevojshme, në mënyrë që aplikimi për rimbursim të vijojë normalisht.

Administrata Tatimore sqaron gjithashtu se fermerët nuk mund të përfitojnë kompensim për produktet që u shiten individëve të paregjistruar si tatimpagues. Sipas saj, kjo kategori shitjesh është jashtë skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë.

Në rastet kur një prodhues bujqësor kërkon të shesë produktet e tij tek individë të paregjistruar apo te konsumatorë finalë, ai duhet të regjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) si tatimpagues për ushtrimin e aktivitetit privat dhe të zbatojë rregullat ligjore të faturimit.

Administrata Tatimore u bën thirrje fermerëve që për çdo paqartësi lidhur me procedurën e kompensimit të kërkojnë informacion dhe asistencë pranë strukturave tatimore, si dhe përmes adresës zyrtare të kontaktit të dedikuar për fermerët.

Skema synon të lehtësojë procedurën e kompensimit për prodhuesit bujqësorë dhe të sigurojë një proces më të qartë dhe transparent për përfituesit.

Ndërkohë procesi i aplikimit për kompensimin 10% të fermerëve përmes autofaturës po vijon me ritme pozitive. Deri në fund të korrikut janë dorëzuar 2397 aplikime, ndërsa vlera totale e kompensimit ka arritur në 5,9 milionë euro.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, numrin më të lartë të aplikimeve e kryeson Drejtoria Rajonale e Tatimeve Fier me 1232 aplikime, e ndjekur nga Berati me 617, Elbasani me 208, Shkodra me 159 dhe Korça me 117 aplikime.

Afati i aplikimit për faturat e periudhës janar–qershor 2026 është deri më 31 dhjetor 2026. Sipas administratës tatimore, skema synon të mbështesë fermerët e regjistruar dhe të nxisë formalizimin e aktivitetit në sektorin bujqësor.

/e.xh/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›