E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet, thirrje biznesit: Kujdes me nivelin e ri të pagave

Taksat Drejtoria e Përgjithshme paralajmëron masën e re të kontributeve për kategori të ndryshme

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes dy njoftimeve të fundit paralajmëron biznesin mbi nivelin e ri të pagës minimale dhe maksimale, në mënyrë që të shmangen gjobat.

“Ju kujtojmë se në zbatim të Vendimit Nr.477, datë 30.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin Nr.1114, datë 30.7.2008 të Këshillit të Ministrave, i botuar në Fletoren Zyrtare Nr.76, datë 01.07.2010, duke filluar nga data 1 korrik 2010 e në vazhdim, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, do të jetë jo më pak se 16.820 lekë, ndërsa paga maksimale mujore do jetë 84.100 lekë”, njoftojnë Tatimet. Sipas drejtorisë, për të punësuarit, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen në bazë të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, paga minimale mujore, për llogaritjen e kontributeve, është ajo e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në zbatim të nenit nr.111, të ligjit të sipërpërmendur. Kjo pagë, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.522, datë 13.5.2009, “Për përcaktimin e pagës minimale, në shkallë vendi”, i cili akoma vazhdon të jetë në fuqi, është 18.000 lekë. Sakaq, kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore për personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, si dhe për personat që punojnë si punëtorë shtëpie, nga data 01.07.2010 e në vazhdim të jetë 1.440 lekë në muaj.

Një tjetër njoftim po i rëndësishëm lidhet me projektin e ri të Tatimeve. “Duke filluar nga data 1 korrik 2010, në kuadër të projektit pilot në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj tatimpaguesve dhe plotësimin e kërkesave të biznesit për vërtetime, për të paraqitur këto kërkesa, duhet të drejtohen vetëm pranë Drejtorisë së Shërbimit ndaj Tatimpaguesve”, sqaron Drejtoria e Përgjithshme.

Vendimi i qeverisë e bën pagën maksimale për efekt të përllogaritjes së kontributeve nga 80 mijë e 600 lekë, në 84 mijë e 100 lekë. Si pasojë e këtij vendimi, për të gjithë ata që kanë një pagë mujore më të madhe se 84 mijë lekë, taksat mbi pagën rriten nga 400 deri në 500 lekë në muaj. Në rastin e të punësuarve në sektorin privat, efekti është i dyfishtë, pasi prek jo vetëm punonjësit, por edhe bizneset. Për këto të fundit, efekti financiar është edhe më i madh, gati 600-700 lekë në muaj, shtesë në taksa për çdo të punësuar me pagë më të lartë se 84 mijë lekë. Ndërsa për punonjësit e regjistruar me pagë minimale, kontributet rriten me 70 deri në 100 lekë në muaj.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›