AMF përqendron letrat me vlerë të qeverisë në një bankë të vetme
Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare përqendron letrat me vlerë të qeverisë në duart e një banke të vetme. Vendimi është marrë dy ditë më parë në mbledhjen e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Sipas vendimit mësohet se autorizohet shoqëria
Banka Alfa sh. a për të vepruar si kujdestar në letrat me vlerë të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Pak kohë më parë një hetim i Autoriteti të Konkurrencës zbardhi se një bankë tjetër në treg kishte kontrollin e bonove të thesarit, duke krijuar vështirësi për hyrje në treg dhe shkelje të kushteve të konkurrencës. Me gjithë rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës, Banka e Shqipërisë nuk ka marrë masë për rregullimin e këtij tregu.
Përqendrimi
Bonot e qeverisë do të kontrollohen nga një bankë e vetme. Banka është përzgjedhur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili është i autorizuar për rregullimin e të gjithë tregjeve. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, është krijuar si institucioni i vetëm kompetent për licencimin e subjekteve në fushën financiare jobankare dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së këtij tregu, ajo autorizon një institucion të vetëm financiar për menaxhimin dhe kujdestarinë e bonove të qeverisë. Në njoftimin zyrtare nuk jepen detaje në lidhje me mënyrën e përzgjedhjes, por janë publikuar edhe disa vendime të tjera për licencimin e subjekteve të tjera për kryerjen veprimtarive të ndryshme ekonomike në vend.
Investimet
Gjatë vitit 2009 janë arkëtuar 100 milion lekë më pak nga interesat e letrave me vlerë, krahasuar me vitin 2008. Ndërkohë që të ardhurat në total nga ky zë janë regjistruar 6 herë më vogla krahasimisht me të dy periudhat. Shifrat janë bërë publike në raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë ku pasqyrohet se gjatë vitit 2009 të ardhurat nga interesat e letrave me vlerë të tregtueshme ishin 239 milion lekë. Ndërsa në vitin 2008 nga ky zë janë arkëtuar 337 milion lekë. Sipas raportit mësohet në totalin e zërit të të ardhurave nga letrat me vlerë të tregtueshme neto janë regjistruar 138 milion lekë për vitin 2009 dhe 673 milion lekë për vitin 2008. Ndërsa në lidhje me bonot e thesarit të emetuara nga Ministria e Financave mësohet se në 31 dhjetor të vitit 2009 letrat me vlerë të emetuara nga kjo ministri për mbulimin e rezervës negative të rivlerësimit të monedhës të krijuara në periudhën 2003-2008 rezulton të jetë 18, 870 milion lekë me terma maturimi të rinovueshme çdo gjashtë muaj.
Rekomandimet
Autoriteti i Konkurrencës ka hartuar një plan me pesë rekomandime për rregullimin e konkurrencës në tregun primar të bonove të thesarit pas konstatimit të shkeljeve në këtë treg. Komisioni i Konkurrencës i sugjeron Bankës së Shqipërisë të rikthejë depozitimincash në sportelet e saj në Tiranë dhe në 5 rrethet kryesore ku ajo ka degë për pjesëmarrjen në ankandet e tregut. Një tjetër rekomandim është ai për Ministrinë e Financave. Sipas komisionit ministria duhet të risë marketingun e produktit të bonove të thesarit për të rritur gamën e pjesëmarrësve në ankandet e tregut primar të biznesit, institucionet financiare dhe individëve nëpërmjet njoftimet publike të ankandeve të radhës. Sipas Autoritetit të Konkurrencës Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare duhet të rritjesh mbikëqyrjen në tregun me pakicë dhe transparencën e tij, në përmbushje të detyrimeve ligjore për mbikëqyrjen e tregut sekondar me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë.
Ornela Manjani