E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 45. 7 milionë euro, të fituara nga korrupsioni mbi 3 milionë euro

Paratë e drogës, trafikut madje dhe të korrupsionit qarkullojnë në bankat nivelit të dytë. Janë rreth 45. 7 milion euro, të cilat janë bllokuar tashmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Kreu i kësaj drejtorie, Arben Doçi bën të ditur

se 8 për qind e kësaj shumë vijnë nga korrupsioni. Sipas një përllogaritje të thjeshtë në bankat e nivelit të dytë që nga fillimi i vitit 2009 e deri tani janë rreth 3. 6 milion euro para të akumuluara nga korrupsioni, të cilët tashmë janë vënë nën sekuestro. Problemi kryesor që haset për zbardhjen e këtyre llogarive është mungesa e dhënies së informacionit nga bankat nivelit të dytë edhe pse këta të fundit janë të detyruara me ligj të japin informacion. Në 18 muaj janë evidentuar 135 llogari të pastrimit të parave në vendin tonë. Nga fillimi i vitit 2009 e deri tani janë evidentuar plot 135 raste të pastrimit të parave në Shqipëri, të cilat i janë përcjellë policisë së shtetit. Ndërkohë 59 raste të tjera i kanë kaluar për hetim organit qendror të akuzës. Por jo gjithmonë hetimi ka shkuar deri në fund pavarësisht informacionit të dhënë nga drejtoria e luftës për parandalimin e pastrimit të parave. Transaksionet e dyshimta kapin vlera jashtëzakonisht të mëdha "Kemi bllokuar afërsisht 3.7 milion euro, mbi 31 milion lekë dhe 1060 m2 pasuri të paluajtshme, që janë një shumë e konsiderueshme krahasuar me të gjitha vitet që nga krijimi i njësisë së Inteligjencës Financiare, rol që e luan Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, e krijuar që në 2001", tha Arben Doçi, drejtor i drejtorisë së parandalimit të pastrimit të parave. Duke i referuar rasteve të zbuluara shihet se pjesa më e madhe e parave vijnë direkt nga trafiku i drogës dhe ai i prostitucionit, ndërsa pjesa tjetër i takon korrupsionit të zyrtareve. "8 për qind e këtyre rasteve janë te lidhura me veprën e korrupsionit dhe në këtë kontekst ne kemi bashkëpunuar ngushte dhe me IDKP dhe nga ky bashkëpunim kanë dalë dhe informacionet për njësitë e përbashkëta hetimore për të hetuar më tej këto çështje", vijon Doçi. Puna e drejtorisë së parandalimit të pastrimit të parave është e lidhur ngushtë me sistemin bankar. Informacioni kryesor vilet nga bankat të cilat e kanë të detyrueshëm raportimin në rastet e llogarive të dyshimta. Por disa banka janë të prirura ta fshehin informacionet rreth klientëve ndaj drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave ka gjobitur 6 prej tyre. Bankat e nivelit të dytë nuk kanë respektuar rregulloren për parandalimin e pastrimit të parave. Banka e Shqipërisë ka konstatuar se në banka qarkullojnë para të dyshimta dhe nuk ka një bazë të dhënash për klientët. Dyshimet janë ngritur në kapitullin V të raportit vjetor të Bankës së Qendrore në pjesën e inspektimeve të kryera gjatë vitit 2009 nga banka. Specialistët e Bankës së Shqipërisë kanë evidentuar disa mungesa në respektimin e detyrimeve të bankave. Sipas Bankës së Shqipërisë ka konstatuar se bankat e nivelit të dytë nuk  respektojnë rregulloren Për mjaftueshmërinë e kapitalit. Në inspektime kanë rezultuar disa pasaktësi në zbatimin e kërkesave rregullative në përcaktimin e rrezikut për grupe aktivesh të caktuara, por pa rendësi materiale. Banka ka propozuar një rritje të pragut minimal te kapitalit aty ku është e nevojshëm. Një tjetër rregull i pazbatuar është edhe rregullorja Për parandalimin e pastrimit të parave. Në lidhje me këtë çështje rekomandimet kanë qenë të lidhura me disa vërejtje mbi parandalimin e transaksioneve të dyshimta, trajnimin e personelit, krijimin e një baze të dhënash të klientëve në zbatim të ligjit të ri që ka hyrë në huqi gjatë vitit 2008, thuhet në raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›