E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimorët: Barnat, përjashtohet tatimi për mallin në magazinë

03/02/2011  Nga 1 shkurti TVSH-ja paraqitet në pullë. Deri në fund të marsit të deklarohet stoku

Importuesit apo prodhuesit e barnave nuk do të Paguajnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar vetëm për mallin që kanë në magazinë. Sipas administratës tatimore, ata duhet ta deklarojnë atë deri në mars të vitit 2011, në fund të çdo muaji sasinë stok pranë organit tatimor ku janë të regjistruar. Ndryshimet që ka pësuar ligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” kanë hyrë në fuqi pas botimit dje në Fletoren Zyrtare. Ato kanë të bëjnë me përfshirjen në skemën e TVSH-së së barnave, apo shërbimeve shëndetësore nga institucionet publike dhe private. Sipas njoftimit të administratës tatimore, këto produkte do të tatohen me 10 për qind që nga data 1 shkurt 2011. “Nuk do të aplikohet TVSH-ja, për barnat e importuara dhe prodhuara në vend, të pajisura me pullën e kontrollit me çmimin pa TVSH, që rezultojnë gjendje në subjektet farmaceutike deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, datë 31 janar 2011”, - thekson njoftimi zyrtar. Ndërkohë të gjitha pullat e kontrollit të barnave që shiten nga data 1 shkurt 2011, do të kenë të përfshirë TVSH-në në çmimin përfundimtar të shitjes. “Qendra e Kontrollit të Barnave merr masa që në pullën e kontrollit të barnave të evidentohet çmimi përfundimtar me TVSH”, - thekson deklarata. Ky vendim është kundërshtuar nga importuesit dhe prodhuesit e barnave, të cilët pretendojnë se ky tatim i ri do të rëndojë në xhepat e konsumatorëve, për shkak edhe të problemeve që ata kanë edhe me zbatimin e kursit të këmbimit nga autoritetet doganore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›