E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen nga Kosova dëshmia 17 faqe e Abdyl Loshajt

03/02/2011  Dëshmia për zhdukjen e Remzi Hoxhës, s’lexohet në seancë, s’ka firmosur gjyqtari

TIRANE-Ka mbërritur nga Kosova letërporosia me dëshminë e Abdyl Loshaj, i cili është një nga personat që është rrëmbyer dhe torturuar nga oficerët e SHIK-ut të vitit 1995 dhe dëshmitar kyç në torturimin dhe vrasjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Dëshmia prej 17 faqe ishte planifikuar të lexohej ditën e djeshme në sallën e gjyqit, por një gabim teknik është bërë shkak që leximi i saj të shtyhet për një seancë tjetër. Ka qenë pikërisht mosfirmosja e gjykatësit të Pejës, i cili ka asistuar në marrjen në pyetje të Abdyl Loshaj. Në fund të dëshmisë, mësohet se ekziston vetëm firma e Loshajt, ndërkohë që nënshkrimi i gjyqtarit të Pejës nuk figuron në proces-verbal. Nisur nga kjo situatë, gjykata është detyruar sërish të dërgojë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë një letërporosi, ku do pyetet lidhur me këtë detaj gjyqtari i Pejës si dhe rregullat që drejtësia kosovare përdor në të tilla raste. Ndërkohë sipas Prokurorisë leximi i thënieve të këtij dëshmitari është vendimtare për procesin. Abdyl Loshaj është i vetmi që ka dijeni për personat që e arrestuan dhe më pas e kanë mbajtur të mbyllur në ambientet e bazës sekrete në Vaim të Lezhës. Ndërsa bëhet e ditur se ka dijeni edhe për ish SHIK –sit që morën peng Remzi Hoxhën, katër prej të cilëve aktualisht janë në bankën e të akuzuarve. Kjo është dëshmia e dytë, pasi për organin e Prokurorisë Abdyl Loshaj e ka dhënë një herë dëshminë e tij në dhjetor të vitit 2003. Por ky procesverbal nuk mund të përdoret si provë para gjykatës. Nisur nga kjo situatë nëpërmjet letërporosisë, gjykata i ka nisur mbi 80 pyetjet e formuluara nga akuza dhe mbrojtja për dëshmitarin Loshaj. Ministria e Drejtësisë ka mundësuar ekzekutimin e kësaj letërporosie, dhe se aktualisht ajo ndodhet në dorë të gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve të këtij procesi gjyqësor. Dëshirën për t’u pyetur Loshaj e ka shfaqur vetë, pasi pak muaj më parë ai nëpërmjet internetit u lidh me Prokurorinë e Krimeve të Rënda duke i kërkuar kësaj të fundit që të pyetej në Kosovë dhe jo në Holandë siç po planifikohej. Kërkesës së Prokurorisë për t’u paraqitur si dëshmitar në sallën e gjykimit, Loshaj i është përgjigjur se ndihet i kërcënuar fizikisht në Shqipëri dhe për pasojë nuk mund të dëshmojë. Gjatë vitit 1995, ai së bashku me Remzi Hoxhën dhe Ziso Kristopullin janë rrëmbyer nga agjentët e SHIK-ut duke u torturuar në qelitë e bazës sekrete të Lezhës. Nga torturat e kryera, Loshaj pësoi disa fraktura të rënda, nga të cilat vazhdon akoma dhe sot të marrë mjekime. Loshaj akuzohej nga SHIK-u si agjent i UDB-së, duke ju kërkuar që të vihej në shërbim të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›