Tatuazhe në Dajt
(Haiku)
Milianov KALLUPI
* * *
Bien lotët
e pjergullës së prillit.
Drithërojnë burimin.
* * *
O, si ulërijnë
shpellat e pyjet!
Ka vdekur Pani.
* * *
Më thoni: Tre qiparisët
apo tri hijet mbi brigjet
janë haiku?
* * *
Mbretëri e pyllit.
E prapë s’shoh një mbret,
nuk shoh një mbretëreshë.
* * *
Kjo ditë e errët
s’mund të hyjë në pyll
pa çelsin e diellit.
* * *
Në portën e qiellit
varur potkoi i hënës.
O, ç’ogur!
* * *
Psalme lumi.
Në kishën e pranverës
pagëzohen gjethet e rrapit.
* * *
Sqepon kokrrat e shegëve.
Nata e fundtetorit
befas u ça.
* * *
Shkëmbinjtë në Dajt
me tatuazhe guaskash
e me një det të harruar.
* * *
Zogu u fsheh në gji të palmës,
mbylli sytë ngadalë
pastaj ra nata.
* * *
Ky fundmaj
mbi prushin e yjeve
than këmishën e hënës.
* * *
Vjeshta iku.
La pas
statujat e drurëve.
* * *
Harlisen pjergullat.
Sythet sumbulla
i shkopsiten diellit.
** *
Mbi pllaka varri
hijet e qiparisave
shkruajnë epitafin e prehjes.
* * *
Edhe kjo rrugë, edhe ajo,
turren e turren
drejt syve të tu.
* * *
Po firon pak nga pak rëra.
Klepdistra tani
më sheh me sy dyshues.
* * *
Zogjtë krahëpezull-
kryqe
në qafën e qiellit.
* * *
Eci majë gishtave.
Kam drojë mos i kall plagë
mëngjesit.
* * *
Tomas Eliot, më thuaj:
Si mund të jetë prilli mizor?
Po çelen tulipanët.
* * *
Qiell vjeshte.
Shtegton një trumë shtërgjesh.
Sa ftohtë!
* * *
Fundmaj.
Ti ke ditëlindjen.
Hëna si një tortë pret...
* * *
Dhe në agim,
dhe në mbrëmje,
gjineshtra po e verdhë.
* * *
Nëna pyet
çdo ditë për mua
e unë i them: i shoh zogjtë.
* * *
Erdhën dallëndyshet
po në fole s’hyjnë më.
Lëvrinin një trumbë grenxash.
* * *
S’di kush erdhi pas nesh.
Di që dikush erdhi
e na ngatërroi gjurmët...
* * *
S’e mbaj mend rrugën.
Kur zbres një degëz
përherë më zgjat dorën.
* * *
Më vjen keq;
Dhjetë libra,
po aq fëmijë të vdekur.
* * *
Ky purpur shkëlqen
vetëm për ty.
Bekim i ditës.
* * *
Jam në jetë
apo në ëndërr?
Sidoqoftë diku jam.
* * *
Te parmaku i drunjtë
një milingonë.
Poshtë uturin lumi.
* * *
Ca zogj nëpër degë
e gjethe bliri,
luajnë kukamfshefti.
* * *
Trishtim gri.
Liqeni m’i ngjan
lotit të një mjellme.
* * *
Zbresin autobusit.
Secili merr rrugën
nga Itaka e vet.
* * *
Hëna mbi brigje
si vajza e valëve,
rri e pret kthimin tim.
* * *
Fjollë tymi në erë.
Krahu
i një korbi të dehur.
* * *
Rrëzë shinave
fije të holla bari.
Hargalisen me erën.
.
* * *
Asnjë semafor në ajër.
Stuhi zogjsh
pa një aksident.
19 Maj 2008
Milianov KALLUPI
* * *
Bien lotët
e pjergullës së prillit.
Drithërojnë burimin.
* * *
O, si ulërijnë
shpellat e pyjet!
Ka vdekur Pani.
* * *
Më thoni: Tre qiparisët
apo tri hijet mbi brigjet
janë haiku?
* * *
Mbretëri e pyllit.
E prapë s’shoh një mbret,
nuk shoh një mbretëreshë.
* * *
Kjo ditë e errët
s’mund të hyjë në pyll
pa çelsin e diellit.
* * *
Në portën e qiellit
varur potkoi i hënës.
O, ç’ogur!
* * *
Psalme lumi.
Në kishën e pranverës
pagëzohen gjethet e rrapit.
* * *
Sqepon kokrrat e shegëve.
Nata e fundtetorit
befas u ça.
* * *
Shkëmbinjtë në Dajt
me tatuazhe guaskash
e me një det të harruar.
* * *
Zogu u fsheh në gji të palmës,
mbylli sytë ngadalë
pastaj ra nata.
* * *
Ky fundmaj
mbi prushin e yjeve
than këmishën e hënës.
* * *
Vjeshta iku.
La pas
statujat e drurëve.
* * *
Harlisen pjergullat.
Sythet sumbulla
i shkopsiten diellit.
** *
Mbi pllaka varri
hijet e qiparisave
shkruajnë epitafin e prehjes.
* * *
Edhe kjo rrugë, edhe ajo,
turren e turren
drejt syve të tu.
* * *
Po firon pak nga pak rëra.
Klepdistra tani
më sheh me sy dyshues.
* * *
Zogjtë krahëpezull-
kryqe
në qafën e qiellit.
* * *
Eci majë gishtave.
Kam drojë mos i kall plagë
mëngjesit.
* * *
Tomas Eliot, më thuaj:
Si mund të jetë prilli mizor?
Po çelen tulipanët.
* * *
Qiell vjeshte.
Shtegton një trumë shtërgjesh.
Sa ftohtë!
* * *
Fundmaj.
Ti ke ditëlindjen.
Hëna si një tortë pret...
* * *
Dhe në agim,
dhe në mbrëmje,
gjineshtra po e verdhë.
* * *
Nëna pyet
çdo ditë për mua
e unë i them: i shoh zogjtë.
* * *
Erdhën dallëndyshet
po në fole s’hyjnë më.
Lëvrinin një trumbë grenxash.
* * *
S’di kush erdhi pas nesh.
Di që dikush erdhi
e na ngatërroi gjurmët...
* * *
S’e mbaj mend rrugën.
Kur zbres një degëz
përherë më zgjat dorën.
* * *
Më vjen keq;
Dhjetë libra,
po aq fëmijë të vdekur.
* * *
Ky purpur shkëlqen
vetëm për ty.
Bekim i ditës.
* * *
Jam në jetë
apo në ëndërr?
Sidoqoftë diku jam.
* * *
Te parmaku i drunjtë
një milingonë.
Poshtë uturin lumi.
* * *
Ca zogj nëpër degë
e gjethe bliri,
luajnë kukamfshefti.
* * *
Trishtim gri.
Liqeni m’i ngjan
lotit të një mjellme.
* * *
Zbresin autobusit.
Secili merr rrugën
nga Itaka e vet.
* * *
Hëna mbi brigje
si vajza e valëve,
rri e pret kthimin tim.
* * *
Fjollë tymi në erë.
Krahu
i një korbi të dehur.
* * *
Rrëzë shinave
fije të holla bari.
Hargalisen me erën.
.
* * *
Asnjë semafor në ajër.
Stuhi zogjsh
pa një aksident.
19 Maj 2008