Lexime
Czeslaw MILOSZ
Më pyete ç’të mirë ka t’i lexosh n’origjinal shkrimet e shenjta.
Dije, pra, se është më mirë t’i fërkojmë gishtërinjtë
Përgjatë gërmave më jetëgjata se ato të gdhendura në gur,
Dhe se po ta shqiptojmë ngadalë çdo rrokje,
Zbulojmë krenarinë e vërtetë të gjuhës.
Nxitja për të hapur sytë do na bëjë të mendojmë për atë epokë
Jo më larg se e djeshmja, megjithëse kokat e Çezarëve
Nëpër monedha sot janë ndryshe. Prapë e njëjta largësi në kohë.
Frika dhe dëshira janë po ato, vaji, gota e verës
Dhe buka një kuptim kanë. Kështu dhe padurimi i turmës
Me uri për mrekullira si atëherë. Edhe më,
Ditët e dasmave, dhimbjet, vajet për të vdekurin
Vetëm sa ndryshojnë. Pastaj, bie fjala, prapë
Ka ende njerëz që në shkrime i merrnin për
Të dytë, domethënë, të dreqosur,
Ose të mallkuar, si të duash (sepse mbiemri
i mangët është thjesht trill nëpër fjalorë).
Spërdredhjet, shkuma e gojës, mprehja e dhëmbëve
Nuk quheshin dëshmi e dhuntisë.
Të çmendurit nuk i pranonte kush për punë e libra,
Shumë rrallë merreshin me art e letërsi.
Por krahu i fjalës së shenjtë mbetet i fortë:
Se shpirti që drejton ato mund të luajë mendsh,
Dhe ky, i lodhur prej një krisjeje të papritur
Ndërmjet dy natyrave, të tyre dhe asaj djallëzore,
Zhytet në ujë dhe fundoset (kjo ndodh përherë).
E kësisoj në çdo shfaqje një lexues punëshumë
I sheh njëzet shekuj si njëzet ditë
Në një botë që dikur do të marrë fund.
Përktheu Idlir Azizi
19 Maj 2008