E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taullai, akuza të reja për prostitucion

Nga Klodiana Lala 

TIRANE-Indrit Taullai, një prej eksponentëve më të rrezikshëm të "Bandës së Durrësit", do të përgjigjet para drejtësisë për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Burime nga Prokuroria e Durrësit pohuan se kanë përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim dosjen penale ndaj Taullait. Akuza e re ndaj 33-vjeçarit durrsak, që njihet si një ndër miqtë më të ngushtë të Lulzim Berishës, është ajo e shfrytëzimit për prostitucion të dy femrave, njëra prej të cilave është Valbona Jaho. Kjo e fundit do të jetë dhe dëshmitare në procesin penal që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda ndaj 16 të akuzuarve si anëtarë të bandës famëkeqe, që ka vepruar për disa vite me radhë në qytetin bregdetar. Nisja e një procesi të ri ndaj të pandehurit Taullait e rëndon më shumë pozitën e këtij të fundit. Mbi supet e tij rëndojnë dhe një sërë akuzash të rënda, si vrasjes, atentate, plagosje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale.
Akuza
Një akuzë e re është ngritur nga prokuroria e Durrësit mbi supet e Indrit Taullait, i njohur si një prej anëtarëve më aktivë të "Bandës së Durrësit". Sipas akt-akuzës së dorëzuar në gjykatë, Taullai ka shfrytëzuar për prostitucion dy femra për afro tri vite. Valbona Jaho është njëra nga viktimat që ka shfrytëzuar Taullai, ndërsa emri i femrës tjetër nuk bëhet i ditur. Emri i Jahos nuk është krejt i panjohur. E reja, përveçse është shfrytëzuar si prostitutë nga Taullai, është mbajtur peng për 18 muaj me radhë, për të mos rrëfyer për një vrasje, që sipas prokurorisë është kryer nga anëtarët e Bandës. Në kërkesën për gjykim gjenden mjaft prova që vërtetojnë fajësinë e Taullait, i cili së shpejti do të përballet me togat e zeza të Durrësit. Hetimet për trafikun e femrave dhe shfrytëzimin e tyre për prostitucion nga të dyshuarit si anëtarë të "Bandës së Durrësit" nisën afro tri vite më parë, pasi shumë prej tyre përfunduan në pranga. I pari që i është komunikuar akuza e re është Indrit Taullai, por ka shumë gjasa që dhe shumë nga të pandehurit e tjerë të kenë të njëjtin fat të hidhur.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›