E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tavo filmon kreun e bashkisë së PS me ministrin e PD: Pazar kundër LSI-së

TIRANE-Kandidati i LSI-së për deputet në qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, akuzon PS-në se po bën pazare me PD-në për të manipuluar votat e LSI-së në këtë qark. Në një intervistë për “Panorama”, Tavo tregon se ka filmime dhe incizime audio të dy takimeve të bëra në Dervician dhe Tepelenë të dy personave me pushtet të PS e PD, të cilët, sipas tij, kanë bashkëpunuar dhe në të kaluarën, më 2009-n dhe 2011-n, për pushtetin lokal.

Ju keni bërë një denoncim për një bashkëpunim mes PS dhe PD kundër LSI-së në qarkun e Gjirokastrës. Për çfarë bëhet fjalë në këto akuza, keni diçka konkrete?
Unë denoncova realisht një pazar i cili përgatitet të bëhet në dëm të LSI-së në qarkun e Gjirokastrës, të personave të veshur me pushtet të të dyja forcave politike, PS dhe PD. Ata po bëjnë çmos që të eliminojnë politikisht LSI-në duke manipuluar votat e të majtëve dhe duke e shpallur rezultatin në tavolinë 3 PS dhe 2 PD. Këto janë pazare të njerëzve pazarxhinj, të njerëzve që kanë vite që i kanë bërë në Gjirokastër duke ndihmuar në zgjedhjet e 2009-s kandidatin e PD për deputet, apo në vitin 2011, kur PD i ka kthyer borxhin kandidatit të PS për zgjedhjet lokale.
Çfarë ka ndodhur konkretisht më 2009-n?
Në zgjedhjet parlamentare të 2009-s janë manipuluar gjatë numërimit në pallatin e sportit votat e socialistëve për të ndihmuar kandidatin për deputet të PD-së. Në vitin 2001, në zgjedhjet për Bashkinë e Gjirokastrës.
Bëhet fjalë për zotin Ruli?
Jo aspak, zoti Ruli ka qenë i pari i listës së PD-së dhe nuk bëhet fjalë për atë. Manipulimi është bërë në procesin e numërimit të votave.
Keni emra konkretë të cilët ju i denonconi?
Emrat janë shumë konkretë për opinionin e Gjirokastrës. Bëhet fjalë për qarkun e Gjirokastrës dhe jo për pjesën tjetër të Shqipërisë.
Ne që nuk banojmë në Gjirokastër, mund t’i dimë emrat që i kanë bërë këto pazare?
Janë shumë të njohur personat, sepse në Gjirokastër dihet se kush i ka bërë këto pazare si në vitin 2009, ashtu dhe në vitin 2011. Qëllimi im si kandidat i LSI-së në qarkun e Gjirokastrës është fitorja e së majtës me 4 mandate në këtë qark dhe 1 për të djathtën. Kjo është plotësisht e mundur dhe arrihet nëse ekziston kohezioni mes partive të së majtës së bashkuar dhe nëse të gjithë bashkë punojmë duke ditur se kundërshtari ynë i përbashkët është PD në këtë qark, dhe jo ashtu siç po punohet me moton që “armiku i mikut tim është miku im”.
Ju keni folur për prova dhe fakte të dokumentuara, madje dhe filmime. Cilët janë personat e implikuar në këto pazare?
Bëhet fjalë për dy takime të filmuara në Dervician dhe një në Tepelenë. Takimi është bërë në një shtëpi në Dervician, që njihet për opinionin gjirokastrit, ku përsëri eksponentë të të dyja forcave politike takohen. Përveç materialit filmik kam dhe bisedën e plotë audio të këtij takimi.
Cilët janë këta persona që ju i keni dokumentuar?
Unë pres një reagim të lidershipit të Partisë Socialiste. Për hir të së vërtetës, reagimi i Edi Ramës ka ardhur shumë shpejt dhe sinqerisht pres që të shoh se çfarë do të ndodhë në vijim.
Do ta bëni publik këtë material që ju keni filmuar dhe incizuar?
Materiali do të dalë nëse nuk do të ketë reagim konkret nga ana e kryetarit të Partisë Socialiste. Kam momentalisht një reagim të parë nga Edi Rama. Do të pres nëse ai do të marrë masa të mëtejshme.
Si ka qenë reagimi i kryetarit socialist?
Reagimi nuk vjen pas kontaktit fizik, sepse bëhet fjalë për një komunikim në distancë. Unë jam në Gjirokastër dhe zoti Rama është në Tiranë. Ka qenë një reagim i menjëhershëm dhe interesi i të gjithëve është që e majta në Gjirokastër të fitojë në mënyrë plebishitare 4 mandate nga 5 të mundshme.
Aktualisht cilat janë marrëdhëniet tuaja me PS e Gjirokastrës, pasi ka pasur dhe një konflikt të vjetër që ju detyroi të largoheni nga Grupi i PS?
Janë marrëdhënie institucionale të dy forcave politike që janë pjesë e koalicionit të përbashkët për Shqipërinë europiane.

Rama i telefonon Tavos: Mos publiko materialet filmike 
Burime pranë kandidatit të LSI-së pohuan dje për gazetën se përmes miqve të përbashkët është bërë i mundur sigurimi i videos ku shfaqen kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime dhe ministri aktual i Punës, Spiro Ksera, që bisedojnë mes tyre për caktimin e komisionerëve në ZAZ-të e këtij qarku dhe ujdinë për të minimizuar në maksimum votat për LSI-në. Në njërin nga takimet mësohet se ka vetëm incizim audio, e aty bashkëpunimi mes dy bashkëfolësve është më i qartë.

Pasi kandidati i LSI-së Vangjel Tavo doli në një konferencë për shtyp dhe denoncoi këtë bashkëpunim të ri mes përfaqësuesve të PS-së e PD-së, shumë i shpejtë ka qenë dhe reagimi i ardhur nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Edhe pse dje Rama ishte në Ankara, ai është përpjekur që ta mbajë nën kontroll situatën brenda koalicionit të majtë. Rama mësohet se i ka telefonuar Tavos dhe i ka thënë që të mos i bëjë publike faktet dhe materialet filmime dhe audio, sepse do të investohet personalisht për të zgjidhur çdo problematikë që paraqitet në Gjirokastër. Kjo deklaratë e Ramës e ka frenuar Tavon që të bëjë publike më tej materialet që disponon, ndërsa mësohet se ai pret nga kryesocialisti një veprim konkret në marrëdhënien e tij jonormale me kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime. Në fakt, ishte kjo marrëdhënie që e detyroi Vangjel Tavon të shkëputet nga Grupi Parlamentar socialist në tetor 2010, para zgjedhjeve për pushtetin vendor, dhe t’i bashkohej Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Sot pranë lidershipit të PS-së gjejnë vend njerëzit që kanë shitur zgjedhjet në Gjirokastër, por që dinë të intrigojnë, të servilosen dhe që mbajnë të punësuar një armatë njerëzish që nisin mesazhe në telefonin e kryetarit, prej të cilave ky i fundit krijon opinione. Verbëria politike e lidershipit aktual po cenon hapur interesat e PS-së dhe integrimin e socialistëve të ndershëm”, shkruante Tavo ditën e largimit të tij nga PS.

(d.b/GazetaPanorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›