E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Zgjidhja e ngërçit në KQZ, domosdoshmëri pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

TIRANE- Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë publikoi sot një deklaratë ku “përgëzon forcat politike për nismën për të votuar sot në parlament “tre ligjet” e shumëpërfolura.

Por njëkohësisht Koalicioni gjen rastin të ftojë dhe të nxisë forcat politike që ky moment bashkëpunimi të shtrihet edhe më tej për të zgjidhur ngërçin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, duke siguruar administrimin e mëtejshëm të procesit me një anëtarësi të plotë të KQZ-së.

Kryerja e një procesi ligjor nënkupton para së gjithash sigurimin e të gjitha shkallëve të zhvillimit të procesit dhe të të gjitha shkallëve të ankimimit për një proces të rregullt ligjor, si dhe funksionimin në mënyrë të plotë dhe ligjore të vetë hallkave ku shqyrtohet procesi.

Në kushtet kur KQZ funksionon e paplotë, kur Kolegji Zgjedhor është akuzuar nga forcat opozitare për qëndrim të njëanshëm dhe kur Gjykata Kushtetuese në një vendim të marrë pak ditë më parë i heq të drejtën vetes për të shqyrtuar ankimime lidhur me zgjedhjet, besimi i qytetarëve në forcën dhe zbatimin e ligjit si dhe në vetë procesin zgjedhor vihet seriozisht në pikëpyetje.

Në përfundim, Koalicioni i bën thirrje forcave politike parlamentare e në veçanti dy forcave kryesore, që pavarësisht vendimit dhe mangësisë që krijon në sistemin ligjor, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të rrisin besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe institucionet përkatëse të administrimit të procesit duke zgjidhur dhe plotësuar anëtarësinë e KQZ-së si dhe duke u angazhuar për një vullnet të qartë për një mirëadministrim të procesit zgjedhor, zbatimin me korrektësi të ligjit dhe pranimin e rezultatit final.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›