E Diel, 1 Nëntor 2026

Të adresuarit për korrupsion kundërshtojnë akuzat e Natali Veliajt

Kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit ka hedhur poshtë deklaratat e Natali Veliajt se një pjesë të 1.4 milionë eurove të ryshfetit nga tenderi i pasaportave do të duhej ta merrte edhe ky institucion.

Të njëjtën e thotë edhe i suspenduari nga puna, Besnik Berisha. Kompania sllovene, sipas OSHP-së, nuk përmbushi kriteret teknike, sepse nuk ishte në gjendje që me makineritë e saj të prodhojë 3 mijë e 500 pasaporta për 8 orë.

Të vështirë e ka të dalë në punë kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, pas deklaratave të Natali Veliajt, se edhe ky institucion është përfshirë në skandalin e pasaportave.

I shqetësuar nga ato çka ka thënë Velija, ai hedh poshtë deklaratat e saj, që përfshijnë këtë institucion në skandalin e 1.4 milionë eurove, transmeton KTV.

Velija u kishte thënë prokurorëve se një pjesë e parave do të duhej t’i jepej edhe OSHP-së.

Të njëjtën e pohon Besnik Berisha, që, sipas Velijajt, kishte për detyrë që një pjesë të parave që ajo pretendon se i ka marrë Berisha, t’ua dorëzojë zyrtarëve të OSHP-së.

Por, kryetari i organit të prokurimit thotë se kurrë nuk ka e takuar asnjërin nga këta persona.

Hoxha tregon për tenderin që i dha mbështetje, duke e vlerësuar si shumë të rregullt.

Kompania sllovene, Cetis DD, që ishte më e lirë për 717 mijë euro sesa ajo fituese, sipas kryetarit të OSHP-së, nuk ka përmbushur kërkesat teknike dhe është kualifikuar qysh në fillim si e papërgjegjshme.

Hoxha ka shpjeguar se kërkesa për të pasur makineri që prodhojnë 3 mijë e 500 pasaporta për 8 orë nuk është përmbushur nga sllovenët.

Natali Velija që nga fillimi ka kushtëzuar prokurorët që t’i japin statusin e dëshmitares së mbrojtur, në mënyrë që të flasë për skandalin e MPB-së./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›