Operatorët e telefonisë mobile po i “rrezikojnë” të dhënat personale

Vjosa F, 23 vjeçare nga Prishtina, brenda një viti është detyruar ta ndërronte tre herë numrin e telefonit mobil.
Ani pse ky fakt nuk i pëlqen fare, Vjosa nuk kishte altrenativ për ta “shpëtuar” vetën nga bezdisjet dhe shqetësimet e telefonatave të padëshirueshme.
Në këtë pozitë kishte ardhur si pasojë e listave të numrave telefonikë, që është e obligueshme të plotësohen paraprakisht nëpër shumë filiale të operatorëve VALA dhe IPKO për ta mbushur telefonin me impulse përmes mbushjeve elektronike, shkruan “Koha Ditore”.
Ndërsa përfaqësuesit e Zyrës për Media në Postën dhe Telekomin e Kosovës lidhur me këtë çështje kanë thënë se ankesat nga klientët janë minimale.
Ata nuk e kanë mohuar faktin se një metodë e tillë do përmirësim në të ardhmen.
Ndërkohë gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje nga IPKO.
Mentor Hoxhaj , zëvendësmbikëqyrës kryesor shtetëror në Agjencinë shtetërore për mbrojtjen e të dhënave personale ka thënë se kjo agjenci që nga themelimi i ka kushtuar kujdes të veçantë mbikëqyrjes së zbatimit të ligjshmërisë se përpunimit të të dhënave personale tek operatorët e telefonisë mobile./Indeksonline/