E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ardhurat e korrikut stabilizojnë shifrat e doganave

Ministria e Financave: Rritje e ndjeshme edhe në eksporte

Të ardhurat e realizuara nga doganat në muajin korrik kanë stabilizuar bilancin jopozitiv të të ardhurave gjatë muajve të parë të vitit. Ministria e Financave ka publikuar dje të dhënat e fundit për të ardhurat e vjela nga administrata doganore dhe ka dalë në përfundimin se ka një rritje që e ka çuar realizimin e planit si shtatëmujor në më shumë se 100 për qind.

Sipas Ministrisë së Financave, Administrata Doganore ka realizuar planin e të ardhurave për muajin korrik 2010 në masën 105 për qind dhe ka arkëtuar në këtë shtatëmujor 8.87 miliardë lekë më shumë, ose 15.5 për qind më tepër se shtatëmujori i parë i vitit 2009.

Në muajin korrik 2010, administrata doganore arkëtoi 10.9 miliardë lekë nga 10.4 miliardë të planifikuara, duke realizuar planin e të ardhurave në masën 105 për qind ose me një tejkalim prej 503 milionë lekësh.

Krahasuar me muajin korrik 2009, në korrik 2010 janë arkëtuar 1.4 miliardë lekë më tepër ose 14.6 % më shumë.

Pasi u realizua plani 6-mujor në masën 100%, duke rikuperuar deficitet e muajve të parë të vitit, 7-mujori 2010 realizohet në masën 101%.

Nga 65.5 mld lekë të planifikuara janë realizuar 66.05 mld me një tejkalim prej 521 mln lekësh.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në 7-mujorin e vitit 2010 janë arkëtuar 66.05 mld lekë nga 57.18 mld të arkëtuara në 7-mujorin 2009 me një rritje absolute në 8.87 mld lekë ose 15.51 % më shumë.

Eksportet

Edhe eksportet shqiptare gjatë shtatëmujorit të vitit 2010 kanë rritje në sasi e vlerë krahasuar me shtatëmujorin e vitit 2009. Sivjet, volumi i eksporteve shqiptare, shprehur në sasi, është 1286 mijë tonë nga 787.8 mijë tonë të regjistruar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 498.2 mijë tonë ose 63.2 për qind më shumë.

Ndërsa si vlerë të eksporteve shqiptare gjatë këtij shtatëmujori është realizuar një volum në vlerën prej 45.2 miliardë lekësh me një rritje prej 26.4 miliardë lekësh, ose 141 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, kur u realizua një vlerë prej 18.8 miliardë lekësh eksporte.

Rieksportet

Rieksportet nga përpunimi aktiv gjatë shtatëmujorit të vitit 2010 kanë shënuar gjithashtu rritje në sasi e vlerë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009.

Gjatë këtij shtatëmujori, volumi i rieksporteve nga përpunimi aktiv shprehur në sasi është 137.5 mijë tonë nga 62.1 mijë tonë të regjistruara në të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rritje prej 75.4 mijë tonë, ose 121.4 për qind më shumë.

Ndërsa si vlerë të rieksporteve nga përpunimi aktiv gjatë shtatëmujorit të vitit 2010 është realizuar një volum në vlerën prej 50 miliardë lekësh me një rritje prej 11.6 miliardë lekësh, ose 30.1 për qind më shumë krahasuar me 2009-n.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›