E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjitha rrugët kalojnë nëpër Vërmicë

Prishtinë, 2 gusht — Temperaturat e ngritura gjatë muajit korrik, udhëtimet e turistëve për pushime, por edhe ardhja e bashkatdhetarëve nga vendet e Perëndimit në Kosovë ka bërë që gjatë muajit korrik nëpër pikat kufitare të Kosovës të qarkullojnë mbi 1 milion e 326 mijë persona. Fluksi kryesor i qarkullimit të këtij numri të personave është regjistruar në Vërmicë, pikën kufitare me Shqipërinë, me mbi 1 milion udhëtarë. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë Kufitare, vetëm në vikendin e fundit rreth 150 mijë persona kanë qarkulluar në këtë pikë kufitare.
“Mesatarisht ditëve të vikendit nëpër pikat kufitare të Kosovës kalojnë 25 mijë deri në 30 mijë persona”, ka thënë Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Ai ka thënë se deri në 90 për qind të udhëtarëve e shfrytëzojnë si pikë kalimi Vërmicën.
Kontrolli i njëanshëm i udhëtarëve i vendosur pas marrëveshjes ndërmjet palës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në këtë pikë ka lehtësuar mjaft udhëtimin e pushuesve.
“Kemi bashkëpunim me kufitarët e Shqipërisë dhe tanimë kontrollimi bëhet vetëm në njërën anë të kufirit. Policët e Kosovës bëhen bashkë me ata të Shqipërisë për të kryer punë më shpejt”, ka thënë Beka.
Sipas tij, qarkullimi i madh i në pikën kufitare të Vërmicës është bërë pas lëshimit në funksion të autostradës së Shqipërisë.
“Shkurtimi i rrugës nga ndërtimi i autostradës ka bërë që shumë pushues ta përdorin pikën kufitare në Vërmicë si kalim për në plazhet e Malit të Zi përmes rrugës që çon drejt Shkodrës”, ka thënë Beka. Sipas të dhënave, mesatarisht në ditë lëvizin rreth 10 mijë mjete transportimi, kryesisht autovetura, e gjithashtu edhe mbi 100 autobusë.
Nga qarkullimi i shtuar i kalimeve kufitare gjatë muajit korrik janë rritur dukshëm edhe të hyrat doganore në buxhetin e vendit. Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Doganave të Kosovës, krahasuar me javët e kaluara, të hyrat doganore në muajin korrik janë në kuotat prej rreth 55 milionë eurove, që është për rreth 10 milionë euro më shumë sesa muajve të kaluar. Mesatarisht nga fillimi i vitit nga të hyrat në qarkullim kufitar gjatë një muaji janë arkëtuar 30 deri në 40 milionë euro.
Kështu, vetëm në dy javët e fundit, javën e 28 dhe atë 29 të vitit, nga kontrollet doganore në kufi janë mbledhur rreth 34 milionë euro.
Të hyra të shtuara nga qarkullimet kufitare ka pasur edhe në muajin qershor, kur qarkullimi i personave nëpër kufi nuk kalonte më shumë se 10 mijë persona në ditë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›