Zbardhet raporti, plazhet që duhen mbyllur në Durrës e Vlorë
Një ditë pas publikimit të pjesshëm të raportit të Ministrisë së Mjedisit dhe Institutit të Shëndetit Publik për ndotjen në plazhe, gazeta “Shqip” ka siguruar të plotë këtë raport, që sugjeron deri edhe mbylljen e disa prej plazheve më të populluara të vendit.
Raporti monitorues i rendit të gjitha problemet e ndotjes së plazheve, ku në listë vendin e parë të papastërtive e zënë derdhjet ilegale të ujërave të zeza në det.
Por edhe mbeturinat që shpesh i shoqërojnë pushuesit në plazhe, në rrugë kryesore, e pranë mjedisit ku qëndrojnë, kthehen në kërcënim për shëndetin.
Sipas raportit vlerësues dhe monitorues të ndotjes në plazhe, një tjetër problem që hasin pushuesit në plazhet shqiptare janë edhe shëtitjet e tregtarëve me kafshë përgjatë vijës bregdetare.
RaportiSipas raportit të vlerësimit të kushteve të plazheve në vend, në Durrës, në zonën e bërrylit, aty ku ndodhen një sërë lokalesh dhe restorantesh, rëra e plazhit ka një ngjyrë të errët dhe erë shumë të rëndë. Burime të dukshme ujërash të zeza nuk duken përveç disa shkarkimeve të ujërave të bardha. “Rezultati i analizave bakteriologjike të bën të mendosh se duhet të ketë ndonjë shkarkim ujërash të zeza që derdhen në mënyrë të fshehtë.
Plazhi i Currilave ka degraduar plotësisht dhe në gjendjen që është duhet të mos përdoret për qëllime pushimi. Mendojmë se zona Skelë në Vlorë, deri te Plazhi i Ri, duhet që të ndalohet për larje, sepse përbën rrezik të lartë për shëndetin e popullatës deri sa të merren masa për rregullimin e gjendjes”, sqarohet në raportin e monitorimit.
Sipas konstatimeve, në Sarandë, gjysma e lagjes 4, Limion, nuk ka kolektor të ujërave të zeza, të lidhur me kolektorin kryesor dhe një pjesë e ujërave të këtyre pallateve të reja derdhen në det pa asnjë trajtim.
Analizat bakteriologjike tregojnë se ujërat urbane të qytetit të Lezhës, nëpërmjet stacionit të pompimit që ndodhet pranë lumit Drin, derdhen në det në zonën e lagunës në Kune Vainit, pa asnjë lloj trajtimi.
Zona e Kune Vainit është zonë turistike me bukuri të pakrahasueshme natyrore, që mund të shërbejë për zhvillimin e turizmit bregdetar për qytetin e Lezhës.
Shpeshherë në plazhin e Velipojës dhe të Shëngjinit vihen re kafshë shtëpiake si lopë, që kullosin në pirgjet e plehrave në plazhe.
Në plazhin e Golemit dhe në zona të tjera të plazhit të Kavajës, vërehen fshatarë që shesin fruta e perime me kafshë, duke kaluar në mes të plazhit, mes pushuesve.
“Në plazhin e Golemit, shkarkimet e ujërave urbane të fshatit Golem dhe nga shkrimet e pakontrolluara të ujërave urbane në përroin e Agait e në kanalin e ujërave të larta që përshkon këtë plazh, gjendja është alarmante”, referon raporti.
MonitorimiDeri në korrik 2010 janë kryer 3 seri analizash, si dhe është kryer inspektimi higjieno-sanitar për përcaktimin e burimeve të ndotjes. Nga inspektimi i kryer në plazhe u konstatua se e gjithë zona turistike e gjirit të Durrësit dhe Kavajës veçanërisht, por edhe zonat turistike Velipojë, Shëngjin, Vlorë dhe Sarandë janë përfshirë nga ndërtime të shumta përgjatë vijës bregdetare, duke vazhduar rritjen e pakontrolluar të popullsisë në këto zona. Ky fenomen është mjaft shqetësues dhe më i dukshëm në plazhin e Durrësit e të Kavajës, por kohët e fundit është bërë i tillë edhe për plazhin e Sarandës, Shëngjinit e Vlorës.
Për mungesë të rrjetit të kanalizimeve dhe ujërave të përdorura dhe urbane në këto zona, rrjeti i shërbimeve, restoranteve, hoteleve dhe një pjesë e mirë e pallateve të reja të ndërtuara funksionojnë me gropa septike. Shumë prej tyre, në mënyrë ilegale i derdhin ujërat e zeza në kanalet e ujërave të bardha, ose direkt në det, duke u bërë burime potenciale të ndotjes së ujërave të detit. Në disa zona, si në plazhin e Durrësit, megjithëse ka rrjet kanalizimesh të ujërave urbane, kapaciteti i tyre është i vogël dhe shpesh ujërat e zeza dalin në sipërfaqe duke rrjedhur të lira në det.
Përgjatë rrugëve kryesore dhe në zona të ndryshme të plazheve ka pirgje me mbeturina urbane dhe mbeturina inerte, të cilat bëhen shkak për ndotjen e mjedisit, duke ndikuar negativisht te pushuesit që frekuentojnë plazhet. Ky fenomen është mjaft i dukshëm thuajse në të gjitha plazhet.
Sakaq, ekspertët sqarojnë se inspektimet janë kryer së bashku me inspektorët sanitarë dhe ndihmësinspektorë të rretheve përkatëse.