E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetuesi: Quka, dëshmitari i ngujuar nga kërcënimet

Procesi për “Bandën e Durrësit”, rrëfime me rëndësi për vrasjet e Ndriçim Saliut dhe Dritan Dishës

Dëshmitarët e procesit gjyqësor të “Bandës së Durrësit” kanë treguar dje disa nga rrethanat e kryerjes së krimeve nga të pandehurit. Ashtu si dhe në seancën e kaluar, nuk munguan rrëfimet rreth kërcënimeve që iu bëheshin dëshmitarëve.

Shtatë persona, të cilët kanë qenë dëshmitarë okularë, si dhe oficeri i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Arben Frashëri, kanë dhënë dëshmi të vlefshme për procesin e gjykimit. Frashëri foli para gjykatës rreth telefonatës që kishte marrë nga prokurori i çështjes, Anton Martini, për dëshmitarin e arrestuar Edmond Quka. Sipas tij, më 27 qershor, ditë e diel, ishte telefonuar nga prokurori Anton Martini, i cili i kishte shpjeguar problemin me dëshmitarin nga Durrësi, pasi ishte i shqetësuar për ardhjen në seancën e radhës. “Kishte shqetësime dhe ishte i ngujuar. Dëshmitari quhej Edmond Quka. Prokurori më dha numrin e tij të telefonit dhe kur e mora m’u prezantua me emrin Edmond Quka. Ai më tha në telefon se nuk vinte dot vetëm në Tiranë, pasi kishte frikë dhe kërkonte që të shoqërohej, si dhe që kishte ikur nga shtëpia”, tregoi Frashëri.

Hetuesi tha se kur e kishte pyetur për adresën, dëshmitari kishte refuzuar t’ia jepte. Frashëri pohoi se e kishte telefonuar Qukën një ditë më pas, për t’i thënë se procesi ishte shtyrë dhe do e njoftonte një ditë para për seancën tjetër. Oficeri i policisë gjyqësore shpjegoi se një ditë para seancës e kishte telefonuar dhe dëshmitari i kishte shpjeguar se do të vinte me nipat e tij. Pas takimit para Gjykatës së Krimeve të Rënda, dëshmitari i ka shpjeguar se kishte sikletet e tij. “E pashë që nuk ishte mirë dhe e pyeta se mos donte që ta shoqëroja për në spital. E pyeta se mos donte ndonjë gjë për të pirë. Ai më tha se kishte sikletet e tij dhe kishte muaj që kishte ikur nga shtëpia. Gjithashtu më tha se që kur ishte thirrur si dëshmitar, nuk ndjehej mirë, pasi i kishin bërë telefonata anonime. Sikleti i tij ishte dëshmia para gjykatës”, rrëfeu Frashëri.

Në listën e dëshmitarëve ishte edhe Lufti Shabani, i njohur si “Ben çami”, që erdhi në seancë i shoqëruar nga efektivat e policisë. Shabani foli për njohjet e tij me viktimën Erjon Lame. Dëshmitari tha para togave të zeza se nga të pandehurit njihte Indrit Taullaun, Lulzim Berishën, Endrit Doklen, si dhe Adriatik Colin, që e kishte pasur edhe shok shkolle. Shabani deklaroi se ditën e vrasjes së Lames ishte telefonuar prej tij, dhe se kishte pirë me të kafe për rreth 10 minuta. Për vdekjen e Lames, dëshmitari tha se e ishte telefonuar nga Enea Prifti. “Nuk e di vendin se ku u vra, pasi unë isha në Tiranë. Vajta në Spitalin Ushtarak dhe aty morëm vesh se ishte vrarë dhe kishte vdekur. Mua erdhi dhe më mori policia, meqë unë rrija me Erjonin. Ndenja në polici tërë natën dhe atë natë aty ishte edhe Adriatik Coli bashkë me familjen e tij. Atë e kishin thirrur aty, pasi dyshohej si vrasësi i Erjon Lames. Bisedova me Tikun dhe ai bënte be që nuk e kishte vrarë Erjon Lamen”, vijoi dëshmitari.

Behar Kurti, një tjetër dëshmitar në këtë proces, ka hedhur dritë mbi vrasjen e nipit të tij, Dritan Dishës, që dyshohet se është realizuar nga të pandehurit e “Bandës së Durrësit”. Kurti tha: “Më 9 korrik të vitit 2000, nipi im, Dritan Disha, ishte tek unë për drekë, pasi kisha përvjetorin e vdekjes së mamasë sime. Pas drekës, Dritan Disha iku në shtëpi. Ai erdhi te ne me dajën tim, Xhemal Hoxhaku. Dritan Disha nuk ka shprehur asnjë shqetësim dhe atë ditë ai luajti me fëmijët e mi dhe të motrës sime. Rreth darkës erdhi motra nga Tirana dhe na tha se ishte plagosur Dritani, na mori të gjithë vëllezërve dhe u nisëm për në Durrës. U nisëm për në vendngjarje dhe morëm vesh se është vrarë Dritan Disha. Donim të shikonim në vendngjarje, por nuk na la policia. Vdekja e Dritan Dishës ishte e papritur, pyetëm, por askush nuk dinte gjë. Dritan Disha rrinte jashtë shtetit dhe këtu ka pasur një lokal së bashku me vëllezërit. Rrallë ndodhte që ta takoja, vetëm kur shkoja ndonjëherë te motra. Vrasja e tij ndodhi tek ish-tregu i makinave. Motra më tha se atë ditë ai kishte shkuar në shtëpi, kishte pushuar dhe më pas kishte dalë për të pirë një kafe në Durrës”.

Prokuroria kishte thirrur për të dëshmuar edhe Selio Xhanin. Ai kishte punuar në lokalin e Ndriçim Saliut dhe madje ishte plagosur në ngjarjen e vitit 2007, ku u vra pronari i tij. “Në vitin 2007 jam plagosur dhe është vrarë edhe Ndriçim Saliu, pronari i lokalit ku unë punoja. Ky ishte vëllai i Klodian Saliut. Në shtëpinë e tyre kam qenë disa herë nga viti 2005-2006, por shkoja atje vetëm për çështje pune. E njoh Adriatik Colin pasi vinte dhe rrinte te klubi i pronarit. E njoh edhe Endrit Doklen, pasi rrinte te lokali dhe e kam pasur edhe në shkollë, në 8-vjeçare. Klodian Saliu ka vdekur në vitin 2005 dhe unë kam marrë pjesë në varrim. Pas vrasjes së Klodianit nuk jam takuar më me Endrit Doklen dhe Adriatik Colin. Nuk më kujtohet nëse ishin në varrim. Unë kam qenë thjesht banakier në lokalin e tyre dhe nuk e di se çfarë pronash kishte familja e Klodian Saliut, por di që kanë pasur një rrobaqepësi. Shokë të Klodianit ishin: Adriatik Coli dhe Endrit Dokle. Klodian Saliu ka pasur një të dashur, me të cilën ka fjetur për nja 2-3 muaj në shtëpinë time. Dhe unë i mora qiranë e dhomës. Mbaj mend që e dashura quhej Irena Jusufi. Di që Klodian Saliu ka pasur një makinë të llojit 2400 dhe një “Benz” të llojit 2500. Ditën që u vra Shkëlqim Saliu, unë isha me të në tavolinë. Mbaj mend që pasi u plagosa, kam parë një djalë të dobët dhe të shkurtër, që hipi në një motor dhe u largua. Ai duhet të ishte rreth 1 metër e 68 cm i gjatë”, tregoi Xhani.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›