E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te bashkuar ne Europe projekti madhor i Shqiperise

Festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë, projekti i bashkimit të shqiptarëve në Europë, sqarimi i votës kundër rezolutës për Palestinën në OKB, kërkesa për hetim ndaj prokurores Carla Del Ponte, si dhe projektbuxheti për vitin 2013, ishin çështjet e trajtuar sot nga ana e Kryeministrit, Sali Berisha gjatë takimit të përjavshëm me ligjvënësit demokratë.  

Kryeministri, Sali Berisha ka falënderuar të gjithë shqiptarët që morën pjesë masivisht në festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë. Madje në këtë kontekst, kreu i qeverisë shqiptare evidentoi faktin se projekti më madhor i kësaj qeverie është pikërisht bashkimi i shqiptarëve në Europë.

“Të bashkuar me njëri tjetrin në Europë është projekti ynë më madhor”, u shpreh Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentarë të PD-së.

Vota abstenuese në OKB
Ndërkohë që po gjatë kësaj mbledhje kreu i mazhorancës sqaroi dhe lidhur me votën abstenuese në OKB ndaj rezolutës për Palestinën. Ndalur në këtë çështje kreu i ekzekutivit, dhe arsyet se përse erdhi një qëndrim i tillë i Shqipërisë. 


“Turqia një aleate e shkëlqyer dhe kryeministri Erdogan është ndër miqtë më të mëdhenj të kombit shqiptar. Qëndrimin tonë ndaj rezolutës së paraqitur nga një grup i gjerë vendesh, si Kryeministër i vendit i kam shprehur publikisht, në shtator të vitit 2011 në sesionin e OKB. Shqipëria mbështet plotësisht zgjidhjen e pushteteve të pavarura. Jemi ndër të paktat shtete që kanë njohur Palestinën. Por në shtator të vitit 2011, kam shprehur qëndrimin negativ ndaj kësaj rezolute së pari sepse besojmë që kjo çështje ndër më komplekse, më e vështira në planet. Ajo nuk zgjidhet përmes përpjekjeve për të anashkaluar SHBA. Duke theksuar këtë shpreh bindjen se Obama e ka patur në axhendën e tij këtë konflikt dhe nuk mund të harojmë faktin se ditën e parë në Shtëpinë e Bardhë ai emëroi të dërguarin e tij për konfliktin në Lindjen e Mesme”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu, sipas tij, një tjetër arsye lidhet me faktin se ekziston në mënyrë evidente një prioritet i SHBA për të zgjidhur këtë çështje me nocionin e dy shteteve të pavarura.
Hetimi për Carla Del Ponte Qeveria shqiptare ka kërkuar një hetim të pavarur për Carla del Ponten. Referuar këtij vendimi, Kryeministri Berisha theksoi se Del Ponte duhet të pranojë hetimin e pavarur.  “Akuza ndaj Haradinaj ishte një pazar midis prokurores Del Ponte dhe Beogradit. Kjo ishte e programuar nuk përfilli asnjë vendim. Akuzat ishin të gatuara nga shërbimet sekrete të Beogradit. Uroj që ajo të mos i njohë vetes asnjë imunitet dhe siç bëri Dick Marty. I bëj thirrje ta pranojë hetimin në të mirë të saj”, vuri në dukje Berisha. 
Projektbuxheti i vitit 2013 Ndalur në diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2013, i cili po diskutohet në komisionet parlamentare, Kryeministri Berisha evidentoi faktin se sipas raporteve ndërkombëtare Shqipëria renditet në një nga vendet me borxh jo të lartë.
“Shqipëria renditet e 41-ta në një nga raportet ndërkombëtare. Vendi ynë lë prapa në këtë raport 104 vende  me një borxh prej 59.7 për qind ndërkohë që ekonomitë më të fuqishme kanë një borxh shumë herë më të lartë se Shqipëria. Vendi ynë ka një nga pozicionet më të lakmuara pasi ajo renditet në vendet me borxhet jo të larta”, vlerësoi Berisha. 
Për këtë arsye, kreu i qeverisë i cilësoi deklaratat e opozitës për rritjen e nivelit të borxhit, si qëndrime  për përfitime elektorale. 
“Përpjekja e eksponentëve të caktuara të opozitës për të dramatizuar problemin e rritjes së nivelit të borxhit është qesharake, qëllimkeqe dhe kërkon të pengojë mazhorancën dhe qeverinë që të garantojë rritjen e mirëqenies ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Ata duan që kjo tu konvertohet në vota por kjo nuk mund të pranohet”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kreu i mamazhorancës argumentoi vendimin e qeverisë për të kaluar kufirin ligjor të borxhit publik, mbi 60 për qind. Sipas tij, një gjë e tillë bëhet për të ruajtur investimet në një nivel të lartë me qëllim, që të nxitet ekonomia. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›