Banorët që shpronësohen nga zgjerimi i segmentit Fushë Krujë – Milot do të shpronësohen me mbi 98 mln lekë

Banorët që shpronësohen nga zgjerimi i segmentit Fushë- Krujë - Milot do të kompensohen me mbi 98 milionë lekë. Ky vendim është marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë. Vendimi në fjalë është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, ligjit “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik” dhe të ligjit "Për buxhetin e shtetit të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Shpronësimi për interes publik i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zgjerimi i segmentit rrugor Fushë-Krujë – Milot, do te të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, për sipërfaqen 254 116 metër katrore tokë/arë me vlerë 87 576 435 lekë, për sipërfaqen 15 112 metër katrore tokë/truall, me vlerë 10 647 900 lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 98 224 335 lekë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 2 405 910 lekë do të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 98 224 335 lekë do të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”. Shpronësimi do të fillojë më 30.9.2009 dhe do të përfundojë më 30.12.2009. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
...