E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dalësh me një burrë më të ri se vetja, pse dhe si

Dikur, të dilje përkrah një partnereje dhjetë vjet më të vogël, ishte privilegj vetëm i meshkujve. Tani gjithnjë e më shumë femrat refuzojnë bashkëmoshatarët e tyre para djemve më të rinj. Përse? Jua shpjegojmë ne, së bashku me ndonjë truk nëse ju pëlqen dikush dhe dëshironi të martoheni

Nëse mendoni se është një tendencë e cila i përket vetëm Hollivudit dhe rrethinave të tij, e keni gabim. Numri i femrave të mëdha në moshë që vendosin të krijojnë një lidhje me një djalë më të ri se vetja, po rritet dita-ditës. Natyrisht që shembujt më të mirë janë Demi Moore, Mariah Carey, Halle Berry, Madonna, Lory Del Santo, Amanda Lear... Megjithatë, nuk e kemi fjalën për VIP-at, por për gratë e thjeshta. Ja disa nga arsyet që ato preferojnë të joshin djem të rinj.

30-vjeçarët, egoistë apo të parritur

Gjatë moshës 30-vjeçare femrat përjetojnë një fazë paksa delikate: jeta e tyre ndahet mes punës dhe karrierës, dëshirës së ngatërruar për të pasur (ose jo) një fëmijë dhe plakjes që vjen ngadalë... Dhe nëse në këtë pjesë përfshihen edhe meshkujt, atëherë gjendja bëhet tepër e vështirë. Meshkujt e sotëm 30-vjeçarë ndahen në dy kategori: egoistët që mendojnë vetëm për veten e tyre, pushimet, veshjet moderne, të jenë sa më të tërheqës, të kenë një makinë luksoze, të dalin me miqtë dhe të pijnë pafund, të martohen dhe të mos mendojnë për familjen; dhe pasanikët, ata që janë gjithmonë të vendosur të mos dalin nga guaska e tyre dhe të mos ju duan asnjëherë juve aq sa duan nënën. 20-vjeçarët? çuditërisht janë më të përgjegjshëm, më largpamës (nuk preferojnë të merren me vogëlsira, si 40-vjeçarët që festojnë së bashku me studentët që diplomohen), më të etur për të hartuar diçka të rëndësishme dhe më të vendosur për të arritur qëllimin që duan.

Të rinjtë, sa pozitivë, aq edhe të hapur

çfarë kanë më shumë të rinjtë në krahasim me 35-40 vjeçarët? Përveç mënyrës së të arsyetuarit tepër të përparuar, i përkasin një brezi që ka mësuar vërtet ç’është barazia mes gjinive. Nuk kanë nevojë të ndihen meshkuj dominues, ta shohin femrën më poshtë se veten, të komandojnë apo të kënaqin dëshirat e tyre vazhdimisht. Nuk ndihen të kërcënuar nga arritjet e një gruaje, si në punë, ashtu edhe nga ana profesionale, madje e admirojnë partneren e tyre. A është e nevojshme të flasim për aspektin fizik dhe shëndetësor? Nuk kanë bark, e shmangin në maksimum kolesterolin, nuk janë të thinjur, janë bukuroshë, në kulmin e moshës dhe nuk të shqetësojnë me pyetje pavend dhe kërkesë llogarie të tepruar. Gjithashtu, djemtë e rinj udhëtojnë pa “bagazh personal”: nuk kanë ish të dashura, apo fëmijë nga një grua tjetër. A nuk ju mjaftojnë këto?

Pse një burrë duhet të dalë me një grua më të vjetër në moshë?

Përgjigjja vjen nga shumë libra, video, sajte dhe blogje që gjenden në internet dhe mbledhin dëshmitë e vërteta të zonjave dhe djemve të cilët dalin së bashku. Pse një djalosh i ri tërhiqet nga një zonjë më e madhe në moshë? E para sepse është grua, është e sigurt në vetvete, periudha e paranojave të tipit “jam e shëndoshë/ e shëmtuar/ pak seksi/ e tmerrshme në shtrat” i ka kaluar prej kohësh. Pastaj është e pavarur, gjë që ka bukurinë e saj. Ajo ka një punë, një karrierë të kristalizuar dhe një shtëpi të gjithën për vete. Stabiliteti i jep jetëgjatësi një lidhjeje dhe kjo e bën çdo mashkull të ndihet i sigurt. Në fund është lirshmëria dhe eksperienca në shtrat. Ajo e di çfarë do, është në dijeni se çfarë i pëlqen një mashkulli, por mbi të gjitha e di se çfarë i pëlqen asaj dhe nuk ka frikë ta kërkojë. Kështu lidhja edhe në shtrat është më e nxehtë dhe pa ndrojtje.

Po lidhja funksionon?

Për atë që është e interesuar për një lidhje të qëndrueshme me një burrë më të ri në moshë, ta dini që përgjigjja është: Po, marrëdhënia funksionon. Pavarësisht historive të suksesshme të VIP-ave, motivet e çifteve normale mjaftojnë dhe përparojnë. Marrëdhënia është e qëndrueshme dhe e lumtur për shumë arsye: femra është e pjekur dhe e matur, por në të njëjtën kohë e re, aventuriere dhe e shpërqendruar, siç është shpesh një 20-vjeçare. Gjithashtu nuk është e prirur të ndërtojë një të ardhme që një 30 ose 40-vjeçare e ka konsoliduar tashmë. Një nga arsyet e shumta që ka zgjedhur një djalosh më të ri është se kapriçot e pafundme të një burri të pjekur e kanë hedhur në krahët e një djaloshi, i cili di si t’i kërkojë gjërat. Në shtrat të dy i kanë idetë e qarta: në këtë fazë të jetës, të dy kanë nevojë të zbaviten.

Ka edhe nga ato femra të cilave u pëlqejnë meshkujt e moshuar në moshë...

Efekti “baba” të jep siguri. Ai është i pjekur, fjalëpakë, i sigurt, serioz, me një shtëpi të madhe, një pozicion të ngritur në vendin e punës. Natyrisht që këta lloj burrash në pjesën më të madhe të rasteve janë të martuar, u vijnë pas avazit grave të tyre, ndërsa ju jeni thjesht e dashura. Ose mund të jetë i divorcuar, ka gjashtë fëmijë të mëdhenj dhe është i vendosur për të mos bërë të tjerë. Pastaj ka mendimet e veta, që me kalimin e viteve janë shndërruar në bindje të patolerueshme. Një burrë më i ri në moshë është më i hapur, nuk mendon se çfarë do të bëjë në të ardhmen, nuk gjykon ashpër, është i epshëm, ka dëshirë të provojë dhe të ndryshojë. Ndërsa një burrë të thyer në moshë nuk mund ta “zhvishni nga veset e tij” dhe do të keni telashe nëse i propozoni diçka të re.

Si t’i bëni për vete të rinjtë

E keni gjetur “gjahun” tuaj? Ai është i bukur, i ri dhe ka gjithçka nën këmbë. Arsyeja që ju mban larg tij dihet dhe shpesh mendoni me vete: “Ah sikur të isha dhjetë vjet më e vogël...”. Por gaboheni. Rregulli numër një: guximi. Hidhuni menjëherë në sulm dhe bëjini të ditur se jeni e interesuar për të. Djemve të rinj u pëlqejnë femrat që dinë të marrin iniciativën dhe pasi ai të marrë vesh qëllimin tuaj, nuk do të tërhiqet, madje ai që do ta shtyjë më shumë është kurioziteti (A keni parë ndonjëherë një mashkull të refuzojë një aventurë falas?). Në këtë mënyrë e keni bërë të gjithin për vete. Rregulli numër dy: e rëndësishme është të ndiheni të reja në shpirt. Mos u përpiqni të vishni minifunde dhe të lyheni rëndë për t’u dukur sikur jeni 20 vjeçe. Të gjithë meshkujt që kanë dalë me gra më të mëdha në moshë se ata, kanë thënë se janë tërhequr shumë nga klasi i tyre i sofistikuar. Shpirti i ri tregohet te mendimet, propozimet, iniciativat, në dëshirën për të udhëtuar, për të dalë dhe për të takuar njerëz të rinj. Rregulli numër tre: vlerësojeni veten. Pika e fortë është eksperienca dhe përvoja erotike që ka një grua, në krahasim me një vajzë. Gjeni mënyrën për ta nënvijëzuar këtë aspekt në momentin e duhur. Rregulli numër katër: jini vetvetja. Nuk duhet të ndryshoni medoemos karakterin për t’i pëlqyer djaloshit të parë që takoni në një lokal. Aspekti më tërheqës te një femër është siguria në vetvete. Trukohuni dhe vishuni mirë, në mënyrë që t’i përshtateni dhe moshës, dilni dhe shijoni momentin, pa u trembur nga ajo që mendojnë të tjerët. Jeni simpatike dhe spontane. Nëse do të jetë dashuri, do t’ju bjerë në gjunjë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›