Konsulta kombëtare për gjuhën dhe letërsinë
Prof. dr. ALI JASHARI
Përmes këtij shkrimi duam të shtjellojmë dy çështje kryesore: e para, që politika gjuhësore e çdo shteti sendërtohet në radhë të parë e mbi të gjitha në mësimin e organizuar dhe të detyrueshëm të gjuhës amtare në të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar, madje edhe më tej; e dyta, që arritjet më të shënuara dhe të kodifikuara të shkencës gjuhësore shqiptare të jenë baza shkencore e gjithë dijeve të njësuara që duhet të marrin nxënësit shqiptarë që nga abetarja deri në maturën shtetërore, në përshtatje me moshën, sipas kritereve pedagogjike të studiuara mirë e mirë dhe standardeve shtetërore. Mendoj se studimi i gjuhës amtare edhe në shkollën e mesme është një arritje e rëndësishme e shkollës shqiptare, duke ndrequr kështu atë që u bë në vitet ’80 të shekullit të kaluar, kur gjuha shqipe u fut si lëndë e veçantë në tre vite të shkollës së mesme të të gjitha llojeve, por që nuk vazhdoi gjatë, sepse në “vazhdën” e eksperimenteve që bëheshin aso kohe me shkollën, shqipja nuk “i ngrysi” as pesë vjet në këtë nivel të shkollës, duke gjetur si shkak nivelin “e dobët” të teksteve për ta hequr si lëndë të veçantë, megjithëse në arsimin e mesëm studiohen lloj-lloj lëndësh, deri edhe “Dituri makinash” etj., dhe nuk mësohej gjuha amtare! Unë bashkohem me ata mësues, pedagogë e studiues që mendojnë se gjuha amtare duhet të studiohet si disiplinë e veçantë në shkollën e mesme, për disa arsye: E para, sepse nxënësit që mbarojnë shkollën nëntëvjeçare nuk e kanë kulturën gjuhësore të mjaftueshme, çka është e domosdoshme për çdo qytetar. E dyta, sepse shumë koncepte e dukuri gjuhësore fëmijët nuk mund t’i rrokin në shkollën nëntëvjeçare, për shkak të moshës së njomë, të shkallës së zhvillimit intelektual etj.
E treta, prirja e madhe e njerëzve për të mësuar gjuhë të huaja, duhet të mbështetet në një bazë të fortë njohurish për gjuhën shqipe. E katërta, mjedisi i sotëm gjuhësor publik shoqëror, familjar etj., në shumë raste, çka do ta përmendim dhe më pas, nuk ndikojnë sa duhet për rritjen e kujdesit për gjuhën amtare, madje, siç dihet, ushtrojnë një trysni në dëm të gjuhës standarde shqipe dhe të përvetësimit të saj të frytshëm nga nxënësit.
E pesta, në shume vende të zhvilluara të botës, gjuha amtare studiohet në disa nivele, deri në moshën e mesme shkollore e më tej dhe zë “bashin” e vendit në programet shkollore.
Siç dihet nga të gjithë, në shkollën e sotme shqiptare programet dhe tekstet titullohen “Gjuha shqipe dhe letërsia” apo “Letërsia dhe gjuha shqipe”, që, pavarësisht se si bashkërenditen, kanë si ide bosht ndërthurjen e gjuhës shqipe me letërsinë, pra mësimi i mjeteve dhe i dukurive gjuhësore në funksion të letërsisë(!). Një qëllim të tillë e gjen shpesh të sqaruar në hyrje të këtyre teksteve, si “integrimi i letërsisë me morfosintaksën; integrimi letërsi-kulturë gjuhësore” etj. Në këto tekste rroken mjaft njohuri nga fusha të ndryshme të gjuhësisë, të ndara në rubrika të veçanta, si: “Kulturë gjuhe”, “Drejtshkrim”, “Morfosintaksë” etj., përmes linjave: “të lexuarit”, “të folurit”, “të dëgjuarit”, “të vështruarit”(!!!) Nga vëzhgimet që kemi bërë deri tani del se përveç arritjeve të mira dhe gjurmëlënëse në formimin gjuhësor të nxënësve, ka edhe probleme të karakterit shkencor e metodik, siç janë, ndër të tjera, shkalla e lartë e vështirësisë së koncepteve gjuhësore që jepen, mbingarkesa të shumta për moshën e nxënësve, pasaktësi të karakterit shkencor etj. Pyetja e parë dhe më kryesore që shtrohet në këtë rast dhe që kërkon përgjigje të mençur dhe të rrahur mirë e mirë nga gjuhëtarët, metodistët dhe mbarë mësuesit e gjuhës dhe të letërsisë është se çfarë duhet të studiohet, cilat janë konceptet më të domosdoshme gjuhësore që duhet t’u jepen nxënësve në shkolla. Nga shqyrtimi që u kemi bërë disa teksteve shkollore të arsimit parauniversitar dalin na pah disa probleme:
Së pari, në programet dhe tekstet shkollore ka një prirje për të dhënë sa më shumë njohuri teorike. Mbushullia e termave gjuhësorë është kaq e madhe, sa nxënësve u mbushet koka me gjëra të vështira, të përsëritura gjithandej, të pasqaruara si duhet për moshën e tyre, një dukuri kjo që buron nga fakti se njohuritë teorike janë marrë “en bloc” nga librat e nivelit akademik e universitar dhe janë futur në tekstet për nxënësit e shkollës nëntëvjeçare. Po sjell vetëm disa shembuj për ilustrim. Si mund ta rrokë nxënësi i klasës së gjashtë një përcaktim të tillë: “Forma e fjalës lidhet ngushtë me kuptimin e saj. Lidhja e formës dhe e kuptimit është konvencionale dhe pranohet me marrëveshje nga folësit e një gjuhe”(!)1; ose në një tekst për klasën e nëntë shkruhet: “Sot gjuha shqipe ka një sistem të plotë stilistik”2’; ose “Paraqit në diagramin e Venit të përbashkëtat dhe dallimet ndërmjet ligjërimit të shkujdesur dhe ligjërimit bisedor”! (klasa e tetë); ose “nëpërmjet gjuhës zbërthehen të gjitha sistemet e shenjave” (klasa e gjashtë) etj.
Nuk e di çfarë do të mësojnë më shumë studentët e filologjisë në universitet kur nxënësve në klasën e tetë u jepen të gjitha ato që ka teksti i “Leksikologjisë” i akad. Jani Thomai për njësitë frazeologjike dhe veçoritë e tyre, për klasifikimin e njësive frazeologjike, deri edhe duke marrë fjalë për fjalë nga ky tekst përcaktime të tilla, si “njësitë frazeologjike nuk krijojnë gjedhe, ashtu siç krijojnë grupet e lira të fjalëve.
Në realitetin e sotëm për shqipen, “Gjuha amtare” në shkolla nuk duhet të jetë thjesht një term gjuhësor, por një disiplinë qendrore me kredi paraprijëse për të gjitha disiplinat e tjera shkollore, që t’u japë fëmijëve shqiptarë dijet për gjuhën tonë të bukur, të lehtë dhe të mirë dhe jo kallëpekapitujt e shfytyruar nga librat akademikë të shkruar me aq mjeshtëri, në mënyrë që ajo të jetë një pajë e vyer për gjithë qytetarët e nesërm të shoqërisë sonë demokratike.
Dhe kjo bëhet mirë kur çështjen e teksteve të shqipes për shkollat tona ta marrin në dorë ata që u dhimbset gjuha shqipe, duke e nxjerrë në ledh ata që deri sot bëjnë libra shkollorë për shqipen, vetëm si një mjet për përfitime materiale.
#