E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikipedia, prapaskenat e një gjigandi

“Wikipedia” është enciklopedia më e madhe në botë dhe mbi të gjitha është një projekt masiv që grumbullon njohuritë njerëzore, një informacion i jashtëzakonshëm që redaktohet dhe mblidhet nga njerëz të zakonshëm. Por pas skenës së versionit gjerman të “Wikipedia”-s ka një grup njerëzish shumë të përkushtuar e mbi të gjitha vullnetarë. Pasioni i tyre për të vërtetën herë pas here u ka kushtuar shtrenjtë.

Wladislav Sojka ndryshoi një fjalë të vetme tek “Wikipedia”, por përmes këtij ndryshimi ai nisi një betejë që zgjati dy muaj e gjysmë dhe mori tone kaq të urryera, sa edhe vetë Sojka mbeti pa fjalë, edhe pse pjesërisht ishte shkaktari i gjithë asaj zallamahie.

Gjithçka nisi një natë kur Sojka modifikoi fjalinë e parë të një artikulli në gjermanisht për kullën e Danubit në Vjenë. Ai ndryshoi: “Kulla e Danubit është një kullë vrojtimi” dhe e bëri “Kulla e Danubit është një kullë televizioni dhe vrojtimi”. Sojka, 34-vjeçar, një agjent nga një qytet në jug të Gjermanisë, mendoi se kishte të drejtë. Ai pretendon se janë të paktë njerëzit që kanë informacionet e tij në lidhje me kullat televizive. Kullat e kanë mrekulluar atë që në fillim, që kur ishte një djalë i vogël. Ai lexonte shumë, madje çdo gjë që gjente në lidhje me to. Gjatë muajit të mjaltit me bashkëshorten, ai dhe e shoqja bënë një udhëtim me helikopter përreth kullës televizive në Toronto. Madje një poster i madh i kësaj kulle ndodhet në dhomën e gjumit të çiftit. Por një ditë, pasi kishte bërë ndryshimin, ai pa që ndryshimi i tij ishte hedhur poshtë. Një austriake me emrin e koduar, “Elisabeth59”, kishte bërë këtë koment: “Kulla e Danubit nuk është një kullë televizive. Ajo u konceptua dhe u ndërtua si një kullë televizive”.

Kjo lëvizje e mërziti shumë Sojkën, i cili e ndryshoi sërish artikullin dhe këtë herë shkroi. “Nëse nuk keni informacionin e duhur, nuk duhet të shkruani. Kulla e Danubit është pa dyshim një kullë televizive”.

Kësisoj nisi një nga debatet më absurdë që janë zhvilluar ndonjëherë në uebsajtet në “Wikipedia”. Bëhet fjalë për faqe e faqe të tëra fyerjesh dhe sharjesh, si dhe korrigjimesh që arrijnë sasinë e 600 mijë karaktereve, pak a shumë sa një libër. Pak nga pak çështja u bë shumë më e madhe se sa vetë çështja e kullës së Danubit. Tashmë bëhej fjala për mbrojtjen e së vërtetës.

“Wikipedia” është enciklopedia më e madhe në botë dhe ka shumë të ngjarë që të mbetet e tillë për një kohë shumë të gjatë, ndaj gjithçka që shkruhet në të ka rëndësi. Versioni gjerman i “Brockhaus Encyclopedia”, një enciklopedi në CD-ROM dhe Enciklopedia e famshme Britanike, po përballen me shumë kriza dhe pasiguri financiare. Volumet e trashë dhe të mëdhenj të enciklopedive që i mbanim nëpër raftet e bibliotekave, tashmë janë diçka që i përkasin së shkuarës, sikurse i përkasin së shkuarës edhe kohët kur përzgjidheshin botues të posaçëm të enciklopedive të shkruara e të publikuara në libra. Kjo detyrë tanimë u ka kaluar njerëzve të zakonshëm, përdoruesve të internetit.
“Wikipedia” duket si një utopi që është shndërruar në realitet. është një njohuri e dije mbarënjerëzore, që mund të hartohet nga çdokush, mund të shtohet, pasurohet dhe korrigjohet nga të gjithë ata që e duan një gjë të tillë, duke i shërbyer kështu filozofisë që dijet nuk duhet të shiten, por duhet të jenë në akses të të gjithëve në këtë planet. Versioni gjerman i “Wikipedia”-s përmban mbi 1 milion artikuj, qindra përdorues kanë akses të përditshëm në këtë sajt dhe në çdo minutë bëhen miliona modifikime. është një përvojë e mrekullueshme të asistosh përditë në krijimin dhe modifikimin e njohurive të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. Megjithatë, mrekullia e “Wikipedia”-s është mrekullia e një muri që ngrihet i lartë pikërisht nga vendosja e shumë tullave njëra pas tjetrës. “‘Wikipedia’ është një novacion shoqërie, jo një novacion teknik”, thotë themeluesi i saj, Jimmy Wales.

Pjesa më e madhe e përdoruesve të “Wikipedia”-s në fakt nuk e kanë vërë kurrë re grindjen e madhe për kullën e Danubit. Këta përdorues aksesojnë në këtë enciklopedi shumë shpejt për të vënë re detaje të ndryshme që shfaqen në faqet e saj dhe ata e dinë ndërkohë që jo çdo gjë që serviret në këtë enciklopedi është domosdoshmërish e vërtetë. Në fakt, ata dinë shumë pak në lidhje me atë që ndodh pas skene, apo më mirë për gjakun, djersën dhe lotët e derdhur në dhomat metaforike të redaktimit. Në fakt, “Wikipedia” nuk është një projekt i shumë vetave, por i një grupi të caktuar shumë të dedikuar. Ka një perceptim të gabuar në lidhje me idenë se të gjithë përdoruesit mund të kontribuojnë njësoj dhe në mënyrë demokratike në sajtit e “Wikipedia”-s. Kështu, “Wikipedia” gjermane ka qindra mijëra përdorues të regjistruar, por sipas një kërkimi të kryer nga një sociolog gjerman, më shumë se gjysma e përdoruesve që regjistrohen në këtë sajt nuk bëjnë kurrë ndryshime nëpër artikuj të ndryshëm. Vetëm 0.5% e të gjithë përdoruesve janë përgjegjës për të paktën dy të tretat e redaktimit. Kjo do të thotë se bëhet fjalë për një grup prej rreth 2000 personazhesh. Ky sajt nuk do të kishte qenë në gjendje që të funksiononte pa punën e dedikuar dhe të vazhdueshme të disa personave që janë në zemër të “Wikipedia”-s. është një komunitet që ekziston në prapaskenën e projektit. Njerëzit që qëndrojnë në këtë pjesë të projektit janë të pakët në numër. Shumica e njohin personalisht njëri-tjetrin jo vetëm nga forumet e debateve apo nga faqet e ndryshme, por ata marrin pjesë edhe në mbledhjet e “Wikipedia”-s, që zhvillohen në vende të ndryshme. Gjërat mund të bëhen ndonjëherë shumë interesante në prapaskenë. Njëri prej këtyre njerëzve të prapaskenës është edhe personi për të cilin folëm në fillim, Wladislav Sojka. Ai e shkroi artikullin e parë për “Wikipedia”-n 6 vite më parë dhe kishte lidhje me një kështjellë. Gjatë këtyre viteve ai ka shkruar mbi 400 artikuj, ka publikuar mbi 1000 pamje dhe ka lënë gjurmët e tij në mbi 7000 artikuj të tjerë. Ai mund të konsiderohet si një anëtar produktiv. Në fakt, çështja e kullës së Danubit është vetëm një nga të shumtat çështje që diskutohen në faqet e “Wikipedia”-s. Në të diskutohen në fakt çështje të një rëndësie shumë më të madhe si bombardimi i Drezdenit, revolucioni industrial, Sajentologjia, apo tërmeti i fundit në Haiti. Bëhet fjalë për njerëz shumë skrupulozë, shumë të dhënë pas detajeve, të cilët mbrojnë me një fanatizëm të theksuar dhe sigurisht me argumente mendimet dhe qëndrimet e tyre. Njerëzit që kontribuojnë tek “Wikipedia” nuk janë aq të rastësishëm sa pretendohet se janë. Të paktën ky është mendimi i disa studiuesve të këtij fenomeni. Gjithsesi, bëhet fjalë për njerëz shumë të dedikuar për të dhënë kontributin e tyre në këtë projekt gjigand në lidhje me gjërat që dinë dhe bëjnë më mirë. Një nga parimet kryesore të “Wikipedia”-s është këndvështrimi neutral. Asnjë pasion personal nuk mund të ndikojë në hartimin e artikujve, apo në mënyrën se si trajtohen çështjet. Në rastin e debateve për çështje të ndryshme, që në fakt zgjasin shumë me argumente dhe kundërargumente, në fund preferohet që të arrihet në kompromise të qarta. Por në fakt, shpesh, për të qetësuar dhe balancuar situatën, ka ndërhyrje. Në rastin e kullës u desh ndërhyrja e Henriette Fiebig, shumë e njohur në “Wikipedia”. Aktive që nga viti 2004, ajo është një administratore dhe ish-anëtare e komitetit të arbitrazhit. Nëse “Wikipedia” funksionon si një oligarki, siç thonë disa, Henriette është thjesht një anëtare e klasës qeverisëse. Ajo është 42 vjeçe dhe ka pamjen e Angela Merkel-it. Ajo thotë se i ndjek nga afër debatet mes shkruesve të artikujve të ndryshëm të “Wikipedia”-s dhe se në një moment, kur e sheh të arsyeshme, apo kur e sheh se gjërat po rrjedhin jo siç duhet, vendos që të ndërhyjë. Po kjo ndërhyrje bëhet gjithmonë me argumente. Henriette shkon në bibliotekë dhe gërmon nëpër burime të ndryshme arkivore dhe enciklopedike, dhe pasi krijon një ide të vërtetë në lidhje me çështjen në diskutim, vendos që t’ua propozojë rezultatin dhe kompromisin të dy shkruesve, të cilët duhet të vendosin që të bien dakord për një variant të ndërmjetëm. Sipas saj, “Wikipedia” në të vërtetë ka parë shumë debate të tilla gjatë këtyre viteve. Ajo jo vetëm jeton për “Wikipedia”-n, por edhe punon në zyrat e saj në Gjermani, që janë degë të zyrave qendrore të fondacionit “Wikipedia”, një organizatë jofitimprurëse, që mbledh donacione për të financuar mirëmbajtjen e “Wikipedia”-s dhe 272 versioneve në gjuhë të ndryshme të saj. Gjithsesi, pyetja që të gjithë bëjnë është: Përse njerëzit duhet që të përfshihen në një projekt të tillë të madh pa pagesë? Sipas Henriette-s, një nga favoret është njohja sociale që e fiton në rrethe të caktuara. Të flasësh për “Wikipedia”-n është njësoj si të flasësh për lidhje ndërpersonale. Kjo është një enciklopedi që ka pa dyshim hierarkinë e saj. Në gradën më të ulët të kësaj hierarkie janë përdoruesit IP jo të regjistruar, ata që bëjnë në fakt ndryshime të vogla dhe të parëndësishme, duke u shtuar fjalë parazite artikujve, si në rastin kur në një artikull për Dideronë ishte shtuar fjala “fuck”. Më pas, vetëm për sa i takon versionit gjerman të “Wikipedia”-s, ai ka rreth 30 administratorë që kanë të drejtën për të bllokuar, fshirë artikuj të ndryshëm dhe të disiplinojnë përdoruesit. Pjesa më e madhe e personave që merren me këtë aktivitet kanë një rol të përcaktuar si kur janë administratorë, si kur janë shkrues anonimë. Por ka dhe “vandalë” që kryejnë çrregullime. Dhe së fundmi ka njerëz që e kanë këtë punë një mision të tyren, si në rastin e Wladyslav Sojkas. “Wikipedia” ka njerëzit e saj të famshëm. Ky sajt përfshihet vazhdimisht nga shumë debate për çështje që në fakt janë parimore, që kanë të bëjnë me censurën, apo edhe me anonimitetin e klientëve të ndryshëm. Por pavarësisht kundërshtive që mund të krijojë, ajo është një nga mrekullitë e internetit, që vazhdon përditë t’u çelë njerëzve horizonte të reja në njohuritë e tyre.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›