E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dalësh prej tunelit

Të mbërthyer prej vitesh pas një ideje fikse të paraqitjes së Kombëtares sonë, po me të njëjtin formacion për çdo ndeshje që zhvillonte, madje edhe në ato stërvitore, më në fund kjo “taktikë” sikur u asgjësua nga trajneri italian Gianni De Biazi, që për herë të parë në jetën e tij pati shansin të drejtonte një ekip përfaqësues. Ndoshta, për shkak të rrethanave, të domosdoshme për të ndryshuar, por dhe për vetë moshën e disa titullarëve që mundën ta kuptojnë tejkalimin e limiteve të tyre, më 29 shkurt në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë, u paraqitëm me një formacion të ri, pothuajse krejt të ndryshëm nga të mëparshmit, që për të qenë sa më të saktë, u ndërtua i tillë edhe prej mungesave të titullarëve kryesorë, ende të domosdoshëm për ekipin, si Lorik Cana, Erion Bogdani, Kristi Vangjeli, duke mos harruar më të nevojshmin midis tyre, Hamdi Salihin. E megjithatë, ndryshimi qe dukshëm i bukur dhe i pëlqyeshëm, veçanërisht gjatë pjesës së parë të ndeshjes dhe kjo jo vetëm prej fitores së arritur, por sidomos nga loja e zhvilluar në mënyrë shumë bindëse prej të gjithë lojtarëve, që në ato 45 minuta u bënë protagonistë të vërtetë. Për të mos e tepruar, siç e kemi zakon kur na rrëmben entuziazmi i çastit megjithatë zhvillimi i asaj ndeshjeje miqësore prej formacionit tonë pothuajse të ri, shfaqi dobësi që nuk ka sesi të anashkalohen, duke pasur parasysh se rruga e kësaj Kombëtareje sapo ka nisur dhe ka nevojë për orientim, që të dalë sa më shpejt nga tuneli i errët ku prej kohësh është futur. Natyrisht, po të fitohej do të ishte edhe më mirë, por gjithsesi kjo humbje në Tbilisi sikur doli nga ajo kornizë e ndeshjeve të mëparshme, kur disfata merrej si e mirëqenë, për vetë atë formacion të përhershëm e pa risi që paraqitnim, kështu që nuk na verboi si në të kaluarën, aq më tepër se “mëkatet” e saj këtë herë më shumë i morën arbitrat moldavë.
Kur pjesa e dytë e ndeshjes për skuadrën tonë përfaqësuese nisi po me atë formacion të suksesshëm me të cilin u përballua pjesa e parë, askush nuk e vuri në dyshim këtë veprim të trajnerit, por kur sa hap e mbyll sytë gjeorgjianët barazuan dhe tanët më vonë nisën të ç’orientohen edhe më keq se sa kur pësuan golin, atëherë me të drejtë duhej të lindte shqetësimi për mungesën e lëvizjeve taktike në fushë dhe në stol. Shumëkush mund të mendonte në atë çast për një ndërhyrje të trajnerit në mbrojtje, edhe për shkak të leksioneve të shumta që ai mund të ketë marrë në këtë aspekt prej shkollës së tij të mirënjohur italiane, por kjo nuk ndodhi, gjë që e vuri në vështirësi për një kohë të gjatë skuadrën tonë, madje në të gjitha drejtimet. Natyrisht, brishtësia e formacionit tonë nuk mund ta përballonte me të njëjtin ritëm të lartë të pjesës së parë të gjithë lojën në vazhdim, kështu që edhe në këtë rast duhej ndjerë më tepër bisturia në operacionet e mëtejshme të italianit De Biazi. Edhe pse i ri në këtë detyrë, italianit mund t’i kishte shërbyer në këtë rast shembulli i kolegut - Ketzbaja, që edhe pse kishte vendosur epërsinë ndaj nesh nëpërmjet lojës sulmuese, megjithatë ndërrimet i shfrytëzoi në kohën e vendin e duhur dhe jo në sekondat e fundit të ndeshjes, sa për formalizëm, siç bëri trajneri ynë që në këtë rast ra në grackën e paraardhësve të tij!? Edhe pse një ndeshje prove, aq më tepër me një trajner e futbollistë të rijnë, megjithatë loja në Tbilisi la shenjë të mirë për ato elementë pozitivë që shfaqi në tërësinë e saj, ku veçanërisht dëshira e madhe për afirmim e të gjithë pjesëmarrësve ishte më e dukshme. Pikërisht këtë element duhej të kishte inkurajuar gjatë gjithë ndeshjes trajneri De Biazi, dhe jo vetëm për një pjesë loje, siç ndodhi në 45 minutat e para ndaj Gjeorgjisë. Mungesa e një fizionomie të qartë në bashkëpunimin dhe trajtimin e situatave ndërmjet tre reparteve në skuadër duhet të ketë qenë një tjetër nënvizim i rëndësishëm i trajnerit nga ndeshja e parë që zhvilloi, për t’u pasur parasysh në punën e ardhshme, që me siguri nuk do të mjaftohet vetëm me “postimin” prej tij të ndonjë letre origjinale, si ajo që çuditërisht na u zbulua si testament nga Tbilisi!?... Të dalësh prej tunelit ku prej kohësh je ngatërruar, nuk është aq e lehtë, sidoqoftë formacioni i ri i trajnerit gjithashtu të ri në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë tregoi forcë e besim, ç’ka na jep për të ardhmen më shumë shpresë e siguri të kësaj vazhdimësie, që jo domosdoshmërisht duhet të na ushqejë me iluzione kualifikimi...

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›