Të del për hundësh bashkëpunimi i kushtëzuar alla-Rama
Para pak ditësh është mbledhur komisioni i emergjencave të Edi Ramës. Ajo që mund t’i bëjë përshtypje cilitdo qytetari nuhatës, është se kjo mbledhje u zhvillua me dyer të mbyllura. Këto mbledhje me dyer të mbyllura, janë të natyrës problematike të atij personi që dikur na shponte timpanet e veshit me fjalën që u bë e padurueshme: Transparencë!
Sa herë që ai ka pasur qëllime jo të paqme për të mbytur, me grusht të hekurt, kundërveprimin ndaj babëzisë së tij brenda radhëve , mbledhjet gjithmonë të tilla ishin:misterioze. Por ky ishte si “e fshehta” e Pulçinelës që ironizonte Kolodi, në veprën e tij të mirënjohur. Edhe së fshehtës së Ramës, në funksion të konsolidimit të kryetarllëkut të tij të kontestuar, nuk vononte t’i dilte era sapo mbaronin ato kërcënimet e tij të bujshme. Mirë. Por të mos vijonte të mburrej me “transparencën” e tij, së paku!
Veçse është vërtet e çuditshme sesi edhe çështja e ndihmës ndaj një gjendjeje vërtet kritike të kësaj dëbore të pambarueshme, kur të gjitha opozitat demokratike të botës së qytetëruar euroatlantike, janë bërë njësh me qeveritë në detyrën e përbashkët për t’i ardhur në ndihmë popullit me viktima të panumërta, ky kryeopozitari ynë ka përbrenda shpirtit të tij të zvetënuar prapamendimet që i ka si natyrë të dytë, që të punojë në errësirë...
Në këtë mbledhje që është budallallëk të bëhej me dyer të mbyllura, janë ftuar ata deputetë të Ramës që u përkasin zonave të emergjencës, ku po përkushtohen, edhe pa i marrë lejen “kryetarit” kësaj fatkeqësie natyrore me përmasa të pashembullta. Ata do të bëjnë të pamundurën, pavarësisht “mundësive të kufizuara të tyre”. Shyqyr që ra njëherë me këmbët në tokë një njeri që, sipas zakonit, fluturon me këmbët në hava! Por kaq është ajo pjesëz e shpolitizuar e njeriut që thotë se s’është politikan (!). Por ç’t’i bësh njeriut të cilin mund ta përfytyrojmë si një magnet, që dihet se e ka si veti të vetën, që të tërheqë grimcat metalike pranë tij, për efekt të fushës magnetike. Megjithatë rifillojnë akuzat kundër qeverisjes për menaxhim të keq. Dhe harron sërish e flet për bashkëpunim me qeverisjen! Pastaj s’i ndahet dot retorikës boshe, hartime të pështjelluara në një “plan solidariteti”, një plan gjithëpërfshirës, “një informim në kohë reale”, “një organizim transparent” (!), si ajo transparenca e mbledhjes me dyer të mbyllura! Prapë ajo transparenca e pamungueshme!
Ai flet për një “paketë me fonde të posaçme”, por pa e përcaktuar këtë fond të posaçëm, kur qeveria e ka deklaruar fondin prej qindra milion lekësh ( të vj.), përveç ndihmave që janë vënë në dispozicion nga donatorë të huaj dhe vendas.
Kur ky nihilist i pandreqshëm nuk ka sy të shikojë sesi venë e vijnë helikopterët e ushtrisë, në udhëtime të njëpasnjëshme, të ngarkuar me ushqime e me ilaçe, sesi këto mjete ajrore marrin personat për t’i çuar në spital, sesi janë në autokolonë makinat e rënda ushtarake të ngarkuara me çka duhet për njerëzit në nevojë në raste të tilla, atëherë le të mos flasë për mungesë organizimi. Mos të katandiset si ajo miza e La Fontenit që kujtonte si i vinte në ndihmë karrocierit, të mbuluar me djersë për të nxitur kuajt që të ngjisnin të përpjetën. Dhe, kur karroca me pasagjerët mbërriti në majë dhe u duk e tatëpjeta, u vajti udhëtarëve brenda karrocës e u tha : “Maintenant payez-moi, monsieurs!” U kërkonte shpërblimin se i pickonte kuajt te bishti për të bërë ngjitjen!
Nëse E. Rama kërkon të shquhet për ndihmën e nevojshme në këtë rast, ai do të bënte mirë të shihte jo vetëm mediet e tij, por edhe “abc news-in” për shembull që, pa ndërprerje, e pasqyron të gjithë atë veprimtari të lavdërueshme përkushtimin efektiv, të qeverisjes. Pastaj të vërë në zbatim ato dy fjalë të mira “për bashkëpunim” duke zbërthyer me tamam se ç’është ajo paketë me fonde të posaçme. Duke treguar, madje konkretisht, edhe fondet! Përndryshe të lë dyshimin se ajo mbledhja emergjente me dyer të mbyllura ishte “funksionale” vetëm e vetëm që të dërgonte deputetët e vet, të cilët mund të shkonin edhe me nismën e tyre, pa porosi të veçanta. Dhe (mos e dhëntë Zoti), iknin që iknin, le të çonin edhe disa nga “Kurbanet “ e tij që t’i shisnin tek ata të cilët as nuk do të dëshironin të merreshin me atë retorikë të paasimilueshme, qoftë edhe në kushte optimale! Palé – Mo’ Zot- jemi që jemi, - të bëjmë edhe pak propagandë zgjedhore, ndërsa fushata s’ka ardhur endé!
A e di Rama se në të gjitha tersllëqet natyrore, edhe në djegiet e pyjeve në behar, edhe në atë përmbytjen e famshme të Shkodrës e të rrethinave të saj, nuk kemi pasur humbje njerëzore, gjatë qeverisjes së kryeministrit Berisha? Organizimi ka qenë ekzemplar. Po ashtu edhe në këtë gjendjen e jashtëzakonshme të tanishme . i vetmi vend në Ballkan e në Europë, ne jemi vendi i veçantë pa viktima njerëzore. A nuk është dëshmi organizimi kjo? Në qentë kështu, ju stononi, z. Rama, në atë fyellin të cilit i bini pa prâ, për menaxhim të keq, e të tjera, e të tjera. Por është ai muhabeti i qimes, që mund të ndërrohet, veçse zakoni mbetet se mbetet!