“Të dëmshpërblehen banorët e Delvinës”, Ina Zhupa: Procesi të jetë i drejtë, banorët pësuan dëme nga zjarri

Deputetja demokrate Ina Zhupa kërkon që banorët e prekur nga rënia e zjarreve të dëmshpërblehen.
Në një takim me banorë të njësisë administrative të Vergos në Delvinë, znj. Zhupa tha se dëmet janë të konsiderueshme, duke kërkuar nisjen e punës për konstatimin e tyre dhe më pas dëmshpërblimin.
“Është i rëndësishëm evidentimi, ashtu siç është i rëndësishëm dëmshpërblimi i plotë monetar i banorëve, në mënyrë të tillë që të kenë mundësi të rikuperojnë dhe të vazhdojnë jetesën e tyre në këto fshatra të bekuara nga Zoti, por mesa duket të pamundura për të jetuar në këto kushte që u janë shkaktuar tashmë nga zjarri,” u shpreh deputetja demokrate.
Zonja Zhupa tha se është domosdoshmëri ngritja e një grupi pune të përbashkët në Bashki, për të evidentuar dëmet e banorëve nga rënia e zjarreve.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/