Të dhëna për Martin Camaj
E lexova me gëzime shkrimin e Prof. Bashkim Kuçukut për Martin Camajn. Asht për t’u gëzue shumë që, ma në fund, dikush i kushton vëmendjen e duhun shkrimtarit Martin Camajt, t’injoruem dje si sot. Sa për korrektësi dhe saktësi due me sqarue disa pika në shkrimin e z. Kuçuku, i cili shkruen, ndër të tjera: “Më 1996 (…....) u bë një botim i pjesshëm në pesë vëllime, i cili, edhe ai, për interesa lëndore të dikujt, iu dha një Shtëpie Botuese të dorës së fundit, siç ishte ‘Apollonia’”. Kjo, simbas meje, nuk asht e saktë. Botimin në fjalë e redaktoi me përkushtim Dr. Ardian Klosi, jo për interesa lëndore, por prej angazhimit dhe adhurimit për veprën e Martin Camajt. Botuesi, Lili Bare, në rrethanat e atëhershme, bani punë të mirë dhe realizoi nji botim shumë korrekt. Z. Bare nuk kishte nji shtëpi gjiganteske botuese, por ishte njeri i letrave; si ai ashtu dhe z. Klosi kanë merita për botimin e nji pjese të madhe të veprës së Martin Camajt. Profesori dhe miku Bashkim Kuçuku shkruen edhe se “në Gjermani, në Mynih, me nisjativën e albanologut Hans-Joachim Lanksch është krijuar Shoqata Kulturore Gjermano-Shqiptare Martin Camaj”, ndërsa Shoqata Martin Camaj asht krijue në Lenggries (Lengris) dhe jo me nisjativën time, por me atë të disa miqve dhe adhururesve të tjerë të Martin Camajt, ndër të cilët ishin dy nxanësa të tjerë të Camajt, profesorët Walter Breu dhe Elvira Glaser, kolegu i Camajt, historiani Prof. Peter Bartl, Ilja Trojanov, botuesi i botimit të parë të Camajt në gjermanisht (“Gedichte”) dhe Dr. Klosi.