E Diel, 1 Nëntor 2026

Erdogan kushtëzon marrëveshjen me Armeninë: Ikni nga Azerbajxhani

 

Vetëm një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve me Armeninë, Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, tha se para hedhjes në praktikë të këtij hapi, Jerevani duhet të tërhiqet nga rajoni kontestues i Azerbajxhanit, Nagorni Karabahu. “Nëse Armenia nuk tërhiqet nga toka e okupuar e Azerbajxhanit, Turqia nuk do të ketë qëndrim pozitiv rreth kësaj çështjeje”, tha dje Erdogan, duke pohuar se Turqia nuk mund të bëjë “hap pozitiv” drejt hapjes së kufijve me Armeninë, derisa ky vend të tërheqë ushtrinë nga “rajonet e okupuara të Azerbajxhanit”. “Duam që çështja e Nagorni Karabahut dhe tokave të okupuara të zgjidhet. Nëse problemi ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë zgjidhet, pastaj do të jetë më lehtë për shoqërinë turke të mbështesë normalizimin e marrëdhënieve me Armeninë”, ka thënë Erdogan. Deklarata e Erdoganit erdhi pas reagimit me zemërim të  Azerbajxhanit ndaj rivendosjes së marrëdhënieve miqësore mes Turqisë dhe Armenisë. Azerbajxhani, armik i vjetër i Armenisë, i vlerësoi përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet, si të dyshimta për stabilitetin në rajon. Turqia konsiderohet shteti më mik i Azerbajxhanit, ndërsa Armenia armiku i tij. Azerbajxhani gjithmonë ka kundërshtuar me forcë ngrohjen e marrëdhënieve mes dy fqinjëve, pa arritjen e një marrëveshjeje për rajonin e diskutuar Nagorno Karabakh. Gjatë luftës atje në vitin 1993, Turqia i mbylli kufijtë me Armeninë në shenjë solidariteti me Azerbajxhanin. Baku kërkon që trupat armene të tërhiqen nga rajoni dhe të kthehet toka. Por deri tani nuk ka marrëveshje për këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›